Ndërlidhjet

Prishtina: GJND, në favor të pavarësisë


Prishtinë
Prishtinë

Liderët kosovarë janë të bindur se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në favor të Kosovës.


Liderët kosovarë presin një fazë të re për Kosovën pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që do të publikohet më 22 korrik. Por, analistët konsiderojnë se Kosovën e presin sfida të mëtejme dhe pas kësaj date.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shpreh bindjen se vendimi do të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës. Ai thekson se pas 22 korrikut, për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, si dhe njohje të reja.
Hashim Thaçi


Qeveria e Kosovës beson se ky vendim do të jetë në përputhshmëri me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe vullnetin e saj, me vendimin e institucioneve për ta shpallur Kosovën shtet, për të jetuar si shtet i pavarur me perspektivë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

“Qeveria e Kosovës beson se çdo veprim dhe vendim i institucioneve të Kosovës ka qenë dhe është plotësisht i drejtë dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të vendit”.

“Gjithashtu Qeveria e Kosovës, siç e dinë të gjithë miqtë dhe partnerët tanë, vendimin për shpalljen e Kosovës shtet e ka bërë në koordinim të plotë pas negociatave disavjeçare, me ndërmjetësimin e miqve ndërkombëtarë
”, deklaron Thaçi.

Ngjashëm shprehet edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai thekson se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në favor të pavarësisë së Kosovës.

Ramush Haradinaj

“Do të jetë një vendim që reflekton të vërtetën për Kosovën, pra nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën e Kosovës për ta shpallur veten shtet dhe ne kemi besim në të drejtën tonë”.

“Mirëpo, se si do të menaxhohet ky vendim, aty kemi skepticizëm për shkak se ne nuk shohim një dinamikë të duhur të konsultimeve politike në Prishtinë për menaxhimin e mëtejmë”,
thotë Haradinaj.



Por, analistët politikë theksojnë se mendimi këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë interpretim i balancuar, por jo i prerë.

Njohësi i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se Gjykata nuk do të mbajë anë.
Opinioni i GJND-së do të jetë i atillë, që do të përshkohet me terma të përgjithshëm, jo i detajuar në kuptimin e dhënies së një përgjigjeje me terma absolutë...


“Opinioni i GJND-së do të jetë i atillë, që do të përshkohet me terma të përgjithshëm, jo i detajuar në kuptimin e dhënies së një përgjigjeje me terma absolutë - po ose jo. Por, do të jetë një opinion, i cili ka ekzaminuar të gjitha provat ose argumentet e dhëna nga palët dhe, mbi bazë të tyre, do të japë vetëm shpjegimin ose interpretimet”
, vlerëson Hoti.

Kërkesa që GJND-ja ta trajtojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ishte iniciuar nga Serbia, dy vjet më parë. Vitin e kaluar janë mbajtur seancat dëgjimore, në të cilat 14 shtete kanë mbrojtur argumentin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa 12 kanë qenë kundër.

Analisti për çështje politike, Driton Lajçi, shprehet i bindur se mendimi i Gjykatës nuk do ta dëmtojë Kosovën.

Driton Lajçi
“Vendimi nuk do të jetë pro serb, sepse nuk ka mundësi, pasi që Kosova, megjithatë, ka krijuar fakte. Vendimi do të jetë i balancuar dhe do të mund të interpretohet i favorshëm edhe për Kosovën, edhe për Serbinë. Kjo edhe është filozofia e OKB-së. GJND-ja nuk mund të ikë nga koncepti i filozofisë së OKB-së. OKB-ja nuk njihet si mekanizëm që i thotë gjërat prerazi”, shprehet Lajçi.

Me përmbylljen e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, më 22 korrik, sipas analistëve, nuk do të mbyllen edhe problemet që shteti i ri ka me fqinjin e tij verior.

Analistët parashikojnë ofensivë diplomatike për të rishtruar për negociim statusin e Kosovës nga ana e Serbisë.

Afrim Hoti shpjegon:

“Është krejtësisht e pritshme që pas përfundimit të procesit para Gjykatës, Serbia do të provojë me të gjitha mjetet që t’i gjejë metodat për ta vënë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, apo në Këshillin e Sigurimit, mundësinë e hapjes së negociatave, meqë lidershipi i Serbisë do t’i përdorë pjesët që konsistojnë si pozitive nga opinioni i GJND-së për Serbinë”.

“Mbi bazën e atyre pjesëve, do të mundohet që çështjen e Kosovës edhe njëherë, eventualisht, ta vendosë në tryezën e bisedimeve”.


Por, Lajçi konsideron se rihapja e negociatave për statusin vetëm sa do të sjellë dëm për vendin. Ndërkohë, vala e re e njohjeve, pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, e paralajmëruar nga kryediplomati kosovar, sipas Lajçit, nuk është lehtë e arritshme.

“Kosova duhet ta ndërtojë rrugën e vet dhe mos ta ndërtojë strategjinë e zhvillimit të politikës së jashtme apo të njohjeve të reja nga GJND-ja”
, thekson Lajçi.

Kosovën, deri më tash, e kanë njohur 69 shtete, nga to më të fuqishmet në botë, si SHBA-të dhe 22 vendet e Bashkimit Evropian. Ngecja në njohje, nga autoritetet kosovare, gjithnjë është arsyetuar me procesin e hapur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
XS
SM
MD
LG