Ndërlidhjet


Veriu i Kosovës nuk mund të ketë një shkallë të re autonomie me atë që parashihet në Planin e Ahtisarit, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, çdo rihapje e bisedimeve për autonomi territoriale, apo status special të kësaj pjese, nënkupton edhe fundin e Pakos së Ahtisarit, si dokument gjithëpërfshirës për statusin. Andaj, në Prishtinë konsiderohet e papranueshme të rihapen çfarëdo bisedimesh që ndërlidhen me statusin.

Duke iu referuar zhvillimeve dhe tensioneve të javëve të fundit në Mitrovicë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Beogradi në vazhdimësi është përpjekur që ta bëjë pavarësinë e Kosovës jofunksionale.
Hajredin Kuçi


“Qëllimi i Serbisë ka qenë që fillimisht të bëjë një spastrim etnik në Kosovë, pastaj të bëjë veprime gjenocidi, ta ndalojë pavarësinë dhe tani po provon që ta bëjë një pjesë të kësaj pavarësie, tërësie territoriale si jofunksionale”.

“Ne i kemi kapacitetet tona, kemi edhe mbështetjen e plotë ndërkombëtare dhe besoj se do të fitojmë ne, do të fitojë e drejta dhe do të fitojë edhe shumica e qytetarëve serbë që jetojnë atje, të cilët e duan rendin dhe ligjin”
, thotë Kuçi.


Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, akuzon Qeverinë dhe udhëheqësit e institucioneve për keqësimin e gjendjes në veri.

Haradinaj thotë se vazhdimi i tillë i gjendjes në veri, po i shkakton humbje të mëdha Kosovës në të gjitha aspektet.
Disa herë kemi theksuar se Kosovës po i shkaktohen humbje; humbje ekonomike, politike, humbje në siguri, humbje në integritetin territorial, në planin e jashtëm.


“Ne me kohë kemi paralajmëruar për humbje. Disa herë kemi theksuar se Kosovës po i shkaktohen humbje; humbje ekonomike, politike, humbje në siguri, humbje në integritetin territorial, në planin e jashtëm”.

“Vazhdimi i kësaj gjendjeje mund t’i sjellë Kosovës humbje dhe mund t’i thellojë këto humbje edhe në veri. Pra, mund të rezultojë me humbje tjera në veri”,
shprehet Haradinaj.


Çdo rishikim i kompetencave të komunave apo pjesëve të banuara me serbë, nga deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, konsiderohet se do të rrezikonte gjithë Pakon e Ahtisarit. Ai thotë se nuk e di se çfarë kompetencash mund t’u japë Kosova komunave serbe, pasi që Plani i Ahtisarit e parasheh shkallën më të lartë të autonomisë.

Ibrahim Makolli

“Pjesa e Mitrovicës veriore, Graçanica dhe Shtërpca edhe me ligjet në fuqi kanë kompetenca shtesë krahasuar me komunat tjera dhe unë nuk di se çfarë shkalle tjetër duhet për të pasur një autonomi tjetër”.

“Mendoj se këto diskutime janë të dëmshme, sepse kësisoji ata janë bindur se diçka duhet të ndodhë me çdo kusht. Por, jo
”, thotë Makolli.

Makolli thekson se Serbia tashmë është e bindur se nuk mund ta kthejë Kosovën në tërësi, siç i premtohet popullit serb dhe se përqendrimi i Beogradit është në pjesën veriore.


“Tashmë i janë kthyer një formule të vjetër, sipas së cilës, nëse rast se nuk mund të mbahet Kosova në tërësi, atëherë të merret një pjesë e saj, e që në këtë rast janë tri komunat veriore që janë me shumicë serbe”, thekson Makolli.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tërheq vërejtjen se hapja e çështjes së veriut dhe debateve për ndonjë status special atje, do të rrezikonte gjithë statusin e Kosovës.

“Po rrezikohet statusi i Kosovës, sepse veriu është Kosovë dhe çdo ndërhyrje, kudo në cilëndo pjesë të territorit të Kosovës, rrezikon statusin e Kosovës”.

“E, statusi i Kosovës është i vendosur në bazë të vullnetit të popullit në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, në bazë të planit të presidentit Ahtisari”
, shprehet Haradinaj.

Pavarësisht disa paralajmërimeve, qoftë nga ndonjë euro-deputet, analist apo media, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në Qeveri nuk është menduar ndonjëherë për ndonjë status të veçantë për veriun, apo ndonjë territor tjetër të Kosovës.

“Në Qeveri nuk e kemi menduar një gjë të tillë. Ne kemi menduar se Pakoja e Ahtisarit është e drejtë plotësuese për minoritetin serb dhe shumë më e madhe sesa të drejtat e minoriteteve që kanë në secilin vend anëtar të Bashkimit Evropian”
.

“Jemi të bindur se Serbia nuk do ta ndalë ‘luftën’ e saj, por po ashtu jemi të bindur se mjetet dhe logjika konfrontuese e Serbisë po shkon kah fundi. Dhe, ky fund vjen, jo si rezultat i Serbisë, por si rezultat i qasjeve të reja të botës demokratike përball rajonit”, vlerëson Kuçi.

Qysh nga koha e bisedimeve për statusin e Kosovës, idetë për veriun, që kryesisht vinin nga Beogradi, niseshin nga kantonizimi, statusi special e deri tek ato që cenonin integritetin territorial të Kosovës me paralajmërimet për ndarje.

Sidoqoftë, veriu ishte dhe mbetet pjesë e territorit të Kosovës, por ku nuk ka shtrirje të pushtetit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ku ka një përqendrim të shtuar të strukturave të pushtetit të Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG