Ndërlidhjet

Economist: "Turqia, miku më i ngushtë i Serbisë"


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Nëse Serbia vazhdon luftën kundër Kosovës, vendet e BE-së do ta lënë jashtë Beogradin. Turqia duket si startegjia e daljes.

Serbia po shikon në të shkuarën, por edhe drejt së ardhmes. Më 11 korrik, presidenti serb, Boris Tadiq, nderoi rreth 8000 viktima boshnjake të masakrës së Srebrenicës.

Në të njëjtën kohë, në veri të Serbisë, në Novi Sad, të rinjë nga gjithë Evropa po shijonin festivalin vjetor të muzikës Exit.

Emri i festivalit u zgjodh nga organizatorët për të gjetur një dalje nga nacionalizmi serb, derisa pas 10 vjetësh është shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse të verës për mijëra të rinj nga i gjithë kontinenti.

Për ta, luftërat e Serbisë janë diçka e lexuar në librat e historisë, e që në verë kanë mbetur në fund të çantave të shkollës.

Padyshim, nuk është kështu për të gjithë. Ratko Mlladiq, komandanti i serbëve në masakrën e Srebrenicës, vazhdon të mbetet në arrati, ndonëse kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë si i akuzuar për gjenocid.

Në fjalimin e tij para trupave serbe, pas masakrës së Srebrenicës, Mlladiq tha se e kishte çliruar qytetin nga “turqit” - një term fyes që përdorej për boshnjakët.

Si për ironi, tani Turqia duket të jetë miku i ri më i mirë i Serbisë. Pas pjesëmarrjes në përkujtimin e Srebrenicës, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri turk, vizitoi Beogradin.

Një numër marrëveshjesh u nënshkruan mes dy vendeve, përfshirë heqjen e vizave. Pakti për tregtinë e lirë do të hyjë në fuqi në shtator.

I shoqëruar nga Tadiqi, kryeministri Erdogan vizitoi Sanxhakun, rajon me shumicë boshnjake në Serbi, ku dy udhëheqësit hapën qendrën kulturore turke.

Gjatë vitit të fundit, Turqia ka filluar të luajë një rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor, duke punuar për të pajtuar serbët e boshnjakët në Bosnjë dhe grupet rivale myslimane në Sanxhak.

Ndërhyrjet e mëhershme të Turqisë në rajon nuk kanë qenë shumë të mirëpritura.

Festivali Exit
Festivali Exit organizohet në një kështjellë pranë Danubit, ndërtuar nga austriakët 300 vjet më parë, në përpjekje për të mbrojtur territoret nga Perandoria Osmane. Por, natyrisht që kështjella ka një pamje më mikpritëse sot.

Organizatorët, megjithatë, thonë se numri i pjesëmarrësve, në veçanti nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, këtë vit ka rënë ndjeshëm, për shkak të goditjes nga kriza ekonomike.

Me gjithë deklaratat e zyrtarëve për rritje ekonomike, besimi është lëkundur. Një tjetër arsye është ngadalësimi i procesit të integrimit të Serbisë në BE.

Shumë tremben se Kosova mund ta ngadalësojë këtë ritëm edhe më shumë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë opinionin këshillëdhënës më 22 korrik lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Serbia, pas kësaj, planifikon të kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme miratimin e një rezolute, ku do të bëhet thirrje për bisedime të reja për statusin e Kosovës.

Por, udhëheqësit e Serbisë kanë marrë paralajmërime se ky hap do t’i irritojë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, 22 nga të cilat janë vende të BE-së.

Serbia ka bërë kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Por, Gjermania e ka bërë të qartë se preferon një periudhë pushimi sa i përket zgjerimit, pas hyrjes së Kroacisë. Kjo e fundit pritet të anëtarësohet në vitin 2012 apo 2013.

Nëse Serbia vendos të vazhdojë luftën për Kosovën, Gjermania dhe vendet e tjera e kanë justifikimin e përkryer që ta lënë Serbinë jashtë.

Qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, thotë minisitri i Tregtisë, Millosavleviq. Por, ai shton se nëse ka vonesa në këtë drejtim, vendi do t’i forcojë marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

Pas dy vjetësh, mbushet një shekull nga koha kur Turqia u dëbua nga Ballkani, pas më shumë se 500 vjetësh qëndrimi. E ja ku është Turqia sërish. Duket sikur nuk u ikën dot rrugëve të çuditshme të historisë. (i.b.)
XS
SM
MD
LG