Ndërlidhjet

Çfarë do të bëjë Beogradi pas GJND-së?


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Me bërjen publik të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të enjten e ardhshme, do të nisë “akti përfundimtar” i lobimit diplomatik serb, qëllimi i të cilit është që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të miratohet një rezolutë që kërkon negociata të reja për statusin e Kosovës, shkruan e përditshmja beogradase “Blic”.

Në këto negociata të reja “Beogradi do të kërkojë që veriu i Kosovës, ku serbët janë shumicë, të fitojë atë që do ta marrë edhe pjesa tjetër e Kosovës, në jug të Ibrit: pavarësinë apo nivel të lartë të autonomisë”.

“Presim që opinioni juridik i gjykatës të jetë një fitore për Serbinë, ndërsa rezoluta të cilën do t’ia propozojmë Asamblesë së Përgjithshme është e tillë që do të jetë turp të votohet kundër saj. Besojmë se shumë vende që e kanë njohur Kosovën do të përmbahen nga votimi kundër kësaj rezolute”, citon “Blic” një burim të vetin, i cili thekson se rezultati i atij votimi është shumë i pasigurt, meqë vendet më të fuqishme të botës, me Amerikën në krye, momentalisht janë shumë të angazhuara që të parandalojnë miratimin e rezolutës serbe në OKB.

Derisa kryetari i GJND-së, Hisashi Owada, nuk e bën publik mendimin e gjykatës, të enjten e ardhshme, në orën 15:00, “praktikisht nuk do të dihet përmbajtja e plotë e atij dokumenti”, por, “në bazë të informatave që janë në dispozicion deri më tash, në Beograd konkludojnë se kjo gjykatë do të thotë se në vepër është shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.

Nga përmbajta e dokumentit të gjykatës, i cili pritet të jetë voluminoz, do të varet edhe përmbajtja e rezolutës serbe.

“Një pjesë e rëndësishme e rezolutës do të jetë shpjegimi i vendimit të gjykatës. Praktikisht, lufta kryesore në Asamblenë e Përgjithshme do të jetë pikërisht rreth interpretimit të opinionit këshillëdhënës të gjykatës, që gjithsesi se do të ketë edhe disa shtesa në favor të palës kosovare. Detyra jonë kryesore është që për rezolutën serbe të përfitojmë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, gjë që nuk do të jetë aspak e lehtë”, ka thënë një burim nga maja e pushtetit në Serbi.

Kohët e fundit, janë shtuar presionet ndaj Beogradit që të heqë dorë nga propozimi i rezolutës së re në OKB, ndërsa zyrtarëve serbë vazhdimisht u thuhet se “plani i tyre për Kosovën është i dëmshëm për vetë Serbinë dhe se kështu ajo do ta humbasë edhe atë që tashmë e ka në tavolinë, ndërsa nuk është duke u ofruar edhe aq shumë – autonomia për veriun e Kosovës, enklavat dhe manastiret serbe”.

Për më tepër, ambasadori francez në Prishtinë, Jean Francois Fitou, citohet të ketë thënë se çështja e veriut të Kosovës mund të zgjidhet me një “autonomi të fortë”, për çka, sipas tij, ka sens edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, në Beograd thonë se janë të vetëdijshëm që Prishtina dhe përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të botës, opinionin e GJND-së do ta paraqesin si fitore dhe konfirmim të pavarësisë së Kosovës.

Madje, thuhet se autoritetet e Kosovës kanë planifikuar të organizojnë festë nëpër rrugët e kryeqytetit pas shpalljes së opinionit të GJND-së, sepse duan që “pamja e fitores” të shihet në mbarë botën.

“Pritet po ashtu presion medial nga shumica e mediave botërore, duke u nisur nga CNN-ja, sepse kështu do të lehtësohet lobimi kundër miratimit të rezolutës serbe”, shkruan "Blic".

Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, ka thënë se paqeruajtësit në Kosovë kanë plan veprimi për periudhën para dhe pas shpalljes së opinionit të GJND-së, dhe se në bashkëpunim me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të shtojnë prezencën në terren, posaçërisht në veri të vendit.


Hapat e Serbisë pas shpalljes së opinionit të GJND-së:

Qeveria e Serbisë
1. Pallati i Paqes në Hagë, 22 korrik, ora 15:00

Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të bëhet publik nga presidenti i kësaj gjykate, Hisashi Owada, ndërsa seanca do të transmetohet drejtpërdrejt, në tërësi, përmes ueb-faqes së gjykatës (www.icj-cij.org) në gjuhën franceze dhe angleze. Debati para gjykatës ka nisur më 1 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa gjatë nëntë ditëve mendimin e vet në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë dhënë 29 delegacione.

2. Gusht – përmbyllja e betejës diplomatike për rezolutë të OKB-së

Detyra e Serbisë është që të mbajë tensione rreth çështjes së Kosovës dhe të përfitojë shumicën e vendeve të botës që të votojnë në favor të rezolutës serbe, me të cilën do të kërkohen negociata të reja. Themeli i kërkesës është që paqja në rajon nuk mund të arrihet nëse “njëra palë i humb të gjitha, ndërsa pala tjetër i fiton të gjitha”. Insistohet në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare. Nëse në OKB miratohet rezoluta e Serbisë, do të ndërpritet përfundimisht procesi i njohjeve të Kosovës dhe do të pamundësohet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke nisur nga OKB.

3. Pallati i OKB-së, New York, fillimi i shtatorit

Asambleja e përgjithshme e OKB-së e shqyrton opinionin e GJND-së. Serbia paraqet rezolutën me të cilën kërkohen negociata të reja rreth Kosovës. Vendoset me shumicë të thjeshtë votash. Çështja e Kosovës ka arritur para Gjykatës në Hagë me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në favor të rezolutës që e pati paraqitur asokohe Serbia, me të cilën me gjithë kundërshtimin e Amerikës dhe të fuqive tjera të perëndimore të botës, është kërkuar mendimi rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, kanë votuar 77 vende, kundër kanë qenë 6, ndërsa 74 kanë qenë të përmbajtura.

4. Negociatat Beograd-Prishtinë

Serbia kërkon nisje nga pika “ku është ndalur” gjatë negociatave të pasuksesshme në Vjenë. Asokohe, Serbia ofronte “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Beogradi tani ofron një “marrëveshje fer: nivel të njëjtë të pavarësisë apo autonomisë për jug, si edhe për veri të Kosovës. Në lojë është edhe një pjesë e Luginës së Preshevës, me popullatë shqiptare shumicë. Negociatat duhet të sjellin te një rezolutë e OKB-së, me të cilën ajo marrëveshje do të vulosej.
XS
SM
MD
LG