Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i ka vazhduar edhe të premten bastisjet dhe mbledhjen e materialeve në Postë-Telekomin e Kosovës, në Prishtinë, si dhe në disa lokacione të tjera në Pejë. Bastisjet e nisura një ditë më parë, ndërlidhen me dyshimet për korrupsion gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit. Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se po hetohet periudha 2007-2008, në të cilën dyshohet se janë kryer keqpërdorimet. Nuk flitet ende për shumën, që mund të jetë keqpërdorur.


Bastisjet e nisura një ditë më parë në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në kompanitë “Devolli grup” dhe “Z-Mobile”, sipas zyrtarëve të EULEX-it, kanë vazhduar.

EULEX-i ka nisur hetimet në lidhje me dyshimet për korrupsion gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit në periudhën kohore 2007-2008.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se janë duke u zhvilluar ende bastisje në Prishtinë dhe në Pejë.

“Bastisjet ende nuk kanë përfunduar; janë disa lokacione, të cilat ende janë duke u bastisur. Nuk jam i sigurt se cilat lokacione janë bastisur, por më duket se në lokalet e PTK-së”.

“Arsyeja e bastisjeve është dyshimi se është bërë bartja e licencës për telekomunikim për operatorit mobil virtual në vitin 2007/ 2008 në mënyrë të kundërligjshme. Kjo është arsyeja kryesore pse po bëhen këto bastisje”,
ka thënë Krasniqi.
Nuk mund të japin informata rreth parave, apo kontratave, ajo çka është duke u dyshuar është mënyra e kundërligjshme e bartjes së licencës...


Zëdhënësi i EULEX-it, Krasniqi, nuk ka mundur të flasë për shumën e parave që mund të jenë keqpërdorur. Sipas tij, për një gjë të tillë duhet të përfundojnë hetimet.

“Nuk mund të japim informata rreth parave, apo kontratave, ajo çka është duke u dyshuar është mënyra e kundërligjshme e bartjes së licencës”
, ka theksuar Krasniqi.

Ndryshe, deri më tash, sipas zyrtarëve të EULEX-it, nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar.

“Krejt çka është bërë deri tash është bastisja e tetë lokacioneve - tri në Prishtinë dhe pesë në Pejë. Është duke u mbledhur material dhe dëshmi të ndryshme”,
ka sqaruar Krasniqi.

PTK-ja

Përveç tetë lokacioneve - tri prej të cilave në Prishtinë dhe pesë në Pejë, EULEX-i të enjten ka bastisur edhe zyrën, banesën dhe veturën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Në një konferencë për media, Haxha ka thënë se u ka ofruar bashkëpunim të plotë hetuesve të EULEX-it, ndërsa ka bërë të ditur se policia e këtij misioni, ndonëse ka konfiskuar dokumente, kompjuterë dhe materiale të tjera, nuk ka arrestuar e as intervistuar ndaj asnjë punonjësi të PTK-së.


Nga ana tjetër, Merita Mustafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni” në Institutin Demokratik të Kosovës, punën e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, e sheh si të rëndësishme në drejtim të luftimit të korrupsionit.

“Fakti që nuk ka të arrestuar dhe fakti që është liruar edhe një person, na bën me dije që EULEX-i është duke tentuar t’i arrestojë disa njerëz, por këta janë vetëm disa ‘peshq të vegjël’ dhe përsëri 'peshqit e mëdhenj' nuk është duke i kapur”.


“Është një lajm i mirë që EULEX-i ka nisur hetimet edhe në sektorët e tjerë, duke filluar edhe në kompanitë publike, siç është PTK-ja e RTK-ja”,
ka thënë Mustafa.
...duam t’i shohim rezultatet në nivel pak më të lartë që t’i kapë ‘peshqit e mëdhenj’, e jo të vegjlit, siç ishte rasti i Tolajt...



Zonja Mustafa nga KDI-ja, ka nënvizuar se shumë qytetarët të Kosovës janë të interesuar të dinë për rezultatin e hetimeve të tashme në ndërmarrjet shoqërore dhe ato qeveritare që është duke i bërë EULEX-i.


“Puna e EULEX-it është një shenjë e mirë që po e shtrin aktivitetin e tij edhe në institucione të tjera. Por, ne, gjithsesi duam t’i shohim rezultatet në nivel pak më të lartë që t’i kapë ‘peshqit e mëdhenj’, e jo të vegjlit, siç ishte rasti i Tolajt
, ka përfunduar Mustafa.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG