Ndërlidhjet

logo-print

Polemika Kuçi – Ivanoviq për veriun


Mitrovicë, ura që ndan qytetin në dy pjesë

Mitrovicë, ura që ndan qytetin në dy pjesë

Qeveria dhe institucionet e Kosovës e kanë obligim kushtetues të shtrijnë sundimin e rendit dhe ligjit në veri të vendit, tha gjatë një debati në Çagllavicë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Fjalimi i tij u kundërshtua nga sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i cili tha se serbët kurrë nuk do ta njohin Kosovën e pavarur.


Qeveria e Kosovës është autoriteti që do të vendosë rendin dhe ligjin në veri, tha të premten zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Këto komente, ai i bëri gjatë një debati të organizuar në Çagllavicë me temën ”Siguria në veri”.

Për gjendjen në veri, Kuçi fajësoi Beogradin se po i shfrytëzon serbët e Kosovës për interesa të veta politike.

Deklaratat e Kuçit u kundërshtuan nga sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.

Përderisa zëvendësshefi i EULEX-it, Roi Riv, tha se EULEX-i së shpejti mund të ndërmarrë aksione dhe arrestime lidhur me veprimet kriminale në këtë pjesë.

Debati kryesor është zhvilluar lidhur me incidentin e para dy javëve, që si pasojë kishte një të vdekur dhe dhjetë të lënduar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se hapja e Zyrës për shërbime civile në Mitrovicë, nuk ishte provokim, por masë që Qeveria po ndërmerr në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Ndërkaq, Kuçi paralajmëroi vazhdimin e angazhimeve për vendosjen e sundimit të ligjit në veri.

Hajredin Kuçi

Parimi i parë është ruajtja e tërësisë territoriale të vendit; parimi i dytë është siguria e një karakteri unik të sistemeve; dhe parimi i tretë është respektimi i Pakos së presidentit Ahtisari”.

“Ne nuk e kemi pasur logjikën e përdorimit të dhunës, shpesh e kemi thënë këtë dhe kjo nuk ishte familjare para opinionit, por kjo gjithmonë është thënë me qëllim që të mos krijojmë frikë te komuniteti serb në atë pjesë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do t’i përdorim mjetet ligjore ndaj atyre që shkelin ligjin”
, tha Kuçi.

Kuçi theksoi se Qeveria nuk heq dorë nga themelimi i Komunës së Mitrovicës së veriut dhe për këtë çështje është ndarë edhe një fond i veçantë për investime.

Ndaj fjalimit të Kuçit reagoi Oliver Ivanoviqi, dikur deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq tash zyrtar në Qeverinë e Serbisë. Ivanoviq tha se dhuna e fundit në veri është pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës.

“Hapja e Zyrës ishte provokim që llogariste në reagimin e serbëve, të cilët në disa raste janë mbledhur spontanisht të protestojnë”
, tha Ivanoviq.

Oliver Ivanoviq

Ai kërkoi nga Kuçi dhe Qeveria e Kosovës që të pushojnë, siç u shpreh Ivanoviq, me fushata politike, sepse serbët nuk e njohin dhe nuk do ta njohin kurrë shtetin e Kosovës.

“Kosova për ne nuk është e pavarur, harrojeni këtë dhe se këtu nuk do të ndryshojë asgjë. Nuk ka mënyrë që do t’i bindte serbët që ta njohin pavarësinë”
, theksoi Ivanoviq.

Sipas Ivanoviqit, Qeveria e Kosovës e ka më lehtë të thotë se veriu është shndërruar në parajsë kriminelësh dhe kontrabanduesish, sesa të merret me korrupsionin dhe shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Kuçi u shpreh se Beogradi dhe një pjesë e politikës serbe ende flet me logjikën e politikës së vjetër që nuk ka të bëjë me realitetin.

Ai deklaroi se Qeveria dhe institucionet e Kosovës do ta shtrijnë pushtetin në gjithë territorin, pasi që ky është një obligim kushtetues.

“Unë i ftoj qytetarët serbë atje ta kuptojnë se është mirë ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, por mbi gjitha, i ftoj ata që t’i njohin institucionet, të cilat vendosin rend dhe ligj, që të njohin perspektivën e tyre’.

“Raportet Kosovë – Serbi i kryen dikush tjetër, por qytetarët serbë atje të mos jetojnë të getoizuar”,
tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi nënvizoi se Kosova dhe Serbia duhet t’i rregullojnë raportet ndërshtetërore si dy shtete fqinje, kurse pakicat duhet të shërbejnë si urë lidhëse në këto raporte.

“Serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë urë lidhëse në mes të dy shteteve dhe jo si lëvizje për integrim të njërit apo tjetrit shtet”.

“Raportet Kosovë - Serbi nuk duhet të reflektojnë negativisht në qasjen e raporteve që Kosova ka me serbët e Kosovës, apo në qasjen që ka Serbia në raport me shqiptarët që jetojnë atje”,
u shpreh Kuçi.

Ndërkohë që debati Kuçi - Ivanoviq po nxehej, zëvendësshefi i EULEX-it, Roj Riv, tha se priste që Kosova dhe Serbia të fillojnë ndërtimin e raporteve të reja pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Deklarimi i vendimit të GJND-së mund të krijojë një mjedis tjetër politik, në të cilin Kosova dhe Serbia do të mund të fillojnë, më në fund, të bisedojnë për çështje të ndryshme praktike.



“Deklarimi i vendimit të GJND-së mund të krijojë një mjedis tjetër politik, në të cilin Kosova dhe Serbia do të mund të fillojnë, më në fund, të bisedojnë për çështje të ndryshme praktike”,
tha Roj Riv.

Ai theksoi se EULEX-i e sheh hapjen e gjykatës në veri si një çështje humanitare, pasi që atje janë 50 mijë lëndë që presin të shqyrtohen.


Po ashtu, Riv tha se EULEX-i po heton edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në veri dhe paralajmëroi se shumë shpejt mund të ketë edhe arrestime në këtë drejtim.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG