Ndërlidhjet

Institucionet e Kosovës nuk po ndërmarrin asgjë për të luftuar korrupsionin, thuhet në raportin e fundit të Lëvizjes Fol.



Organizatat joqeveritare në Kosovë thonë se niveli i lartë i korrupsionit në vend dhe krimi i organizuar kanë filluar të diskutohen edhe në instancat më të larta ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e organizatave konsiderojnë se institucionet e Kosovës nuk po ndërmarrin asgjë për të luftuar korrupsionin.

Armend Mazreku, analist dhe monitorues në Lëvizjen Fol, tha se për korrupsionin dhe shtrirjen e tij, së fundi është diskutuar edhe në mesin e deputetëve të Parlamentit gjerman.
...me parat e taksapaguesve gjermanë, realisht, politikanët e Kosovës janë duke ndërtuar vila private.

“Është shqetësuese, sepse nivelin e lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar e kanë paralajmëruar edhe deputetët e Bundestagut gjerman. Madje, disa nga ta kanë theksuar se me parat e taksapaguesve gjermanë, realisht, politikanët e Kosovës janë duke ndërtuar vila private”.

“Ata kanë bërë thirrje te Qeveria gjermane që të ketë më shumë kujdes me mjetet e taksapaguesve, se si shfrytëzohen ato nga institucionet e Kosovës. Kjo paraqet një krizë të thellë të legjitimitetit të Kosovës”,
tha Mazreku.

Deklaratat e tij vijnë me rastin e publikimit të raportit të rregullt mujor të kësaj organizate, rreth punës së institucioneve në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës, gjatë muajit qershor, veç përsëritjes së deklaratave kundër korrupsionit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të luftimit të kësaj dukurie.

Mazreku tha se qershori ka shënuar muajin më të zbehtë të institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nga monitorimi që kemi bërë gjatë këtij muaji, rezulton që Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e saj se do të jetë bartëse e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, gjatë këtij muaji nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet i vetëm i Qeverisë së Kosovës në luftën kundër korrupsionit. Ne, si lëvizje, konsiderojmë se duhet të ndodhë një transformim cilësor i qeverisjes”, deklaroi Mazreku.

Raporti i Lëvizjes Fol ka kritikuar edhe punën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi, sipas raportit, gjatë muajit qershor ka mbajtur vetëm katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave thuhet se nuk është vërejtur ndonjë përkushtim i spikatur i deputetëve për të diskutuar për aferat korruptive në Kosovë.

“Ne mendojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vend që të vrapojnë pas miratimit të ligjeve, që rregullojnë statusin dhe beneficionet e tyre personale, do të duhej të miratonin edhe ligje të tjera, që janë përmbajtjesore për t’iu kundërvënë korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike”, u shpreh Mazreku.

Ai tha se opozita në Kosovë duhet të jetë më e konsoliduar dhe më këmbëngulëse në denoncimin e rasteve korruptive.
...opozita duhet të konsolidohet ende, duhet të jetë më shumë këmbëngulëse në denoncimin e aferave korruptive.

“Suksesi dhe produktiviteti i një qeverie nuk matet realisht me rolin e pozitës, por me rolin e opozitës. Ne mendojmë që opozita duhet të konsolidohet ende, duhet të jetë më shumë këmbëngulëse në denoncimin e aferave korruptive dhe të merret me raste specifike, të cilat pastaj do t’i pasqyronin të gjitha perversitetet politike, që ndodhin gjatë qeverisjes aktuale”, tha Mazreku.

Në raportin e Lëvizjes Fol - “Monitoruesi i korrupsionit” - thuhet se njëra nga arsyet pse korrupsioni dhe krimi i organizuar janë shtrirë gjithandej institucioneve, është edhe zhytja e vetë sistemit gjyqësor në korrupsion dhe rënia e tij në grackën e presioneve dhe interferencave politike.

Gjyqësori i Kosovës, theksohet në raport, vazhdon të jetë institucioni, me të cilin qytetarët janë më së paku të kënaqur.

Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Fol, niveli i lartë i korrupsionit dhe krimi i organizuar janë duke i ngufatur dhe kërcënuar seriozisht proceset demokratike në vend.

Prandaj, sipas tyre, Kosova, jo rrallëherë, është renditur përkrah shteteve me nivelin më të jashtëzakonshëm të zhvatjes së parasë publike dhe abuzimit me autoritetin publik.

Lexoni edhe këto:
Korrupsioni ul investimet e huaja
Mangësitë e ligjeve anti-korrupsion
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG