Ndërlidhjet

logo-print

Josipoviq: Kroacia nuk do të ndërmjetësojë në rastin e Kosovës

  • RFE /RL

Presidenti Kroacisë, Ivo Josipoviq, dhe ai i Serbisë, Boris Tadiq, Beograd 18 korrik 2010

Presidenti Kroacisë, Ivo Josipoviq, dhe ai i Serbisë, Boris Tadiq, Beograd 18 korrik 2010

Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka ambicie të ndërmjetësimit në këtë çështje”, ka thënë në Beograd presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.


Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka shfaqur bindjen se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, do t’ia dalin të gjejnë zgjidhje për problemet ekzistuese dhe ka porositur se Kroacia nuk do të përzihet në këtë çështje.

Në konferencën për shtyp pas takimit me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, Josipoviq ka thënë se Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se nuk ka ambicie të ndërmjetësimit në këtë çështje.

Josipoviq ka shtuar se është shumë herët të flitet për qëndrimin e Kroacisë ndaj nismave eventuale të Serbisë pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Megjithatë, Ivo Josipoviq ka vënë në pah se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të ndjekin me kujdes zhvillimin e ngjarjeve në këtë temë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nga ana tjetër, ka thënë se, “Kosova për Serbinë mbetet krahinë jugore që nuk është dhe kurrë nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

Tadiq ka shtuar se Serbia angazhohet për marrëveshje dhe kompromis rreth çështjes së statusit të Kosovës, por se “marrëveshja nuk është e mundur nëse njëra palë i fiton të gjitha, ndërsa tjetra i humb të gjitha”.

Boris Tadiq para gazetarëve në Beograd ka pohuar se Beogradi në asnjë rrethanë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së para forumeve ndërkombëtare do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve për këtë çështje. (m.k.)

XS
SM
MD
LG