Ndërlidhjet

Sejdiu: Parteshi, përgjigje kundërshtarëve të integrimit


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përshëndeti përmbylljen e suksesshme të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Parteshit, ku pjesa dërrmuese e qytetarëve janë të nacionalitetit serb.

Përmes një deklarate, ai tha se një gjë e tillë dëshmon se qytetarët e kësaj komune janë të përkushtuar që t’i shfrytëzojnë mundësitë që ua ofron Kushtetuta e vendit, për të ndikuar drejtpërdrejt në qeverisjen lokale dhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre jetësore.

Ndërsa, pjesëmarrja e lartë e qytetarëve edhe në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve është përgjigjka më e mirë ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë integrimin dhe perspektivën e jetës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura që të punojnë edhe më tej për jetësimin e obligimeve që kanë marrë para qytetarëve të vendit dhe para bashkësisë ndërkombëtare, për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e besimi, thuhet në deklaratë.

Kryetarit të porsazgjedhur, Nenad Cvetkoviq, presidenti Sejdiu i ka uruar sukses në detyrën e re dhe realizim të projektit të tij për Parteshin, me të cilën mori besimin e shumicës së qytetarëve të kësaj komune, njofton Departamenti i informacionit dhe komunikimit me publikun i Presidencës.
XS
SM
MD
LG