Ndërlidhjet

Hetimet zbehin imazhin e PTK-së(?)


Postë-Telekomi i Kosovës

Postë-Telekomi i Kosovës


Hetimet që po zhvillon EULEX-i në Postë-Telekomin e Kosovës, do ta dëmtojnë imazhin e saj para investitorëve potencialë, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Qeveria e Kosovës, tashmë ka vendosur që të privatizojë 75 për qind të aseteve të kësaj kompanie, ndërkaq 25 për qind e aksioneve do të mbeten në pronësi të Qeverisë.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se bastisjet e fundit që kanë ndodhur në Postë-Telekomin e Kosovës, do të reflektohen në përkeqësimin e çmimit dhe dinamikës së shitjes së kësaj kompanie.

“Nuk është lajm i mirë për Postën, sepse investitorët do të ngrehin shqetësimet edhe ata, të cilët kanë shprehur interesim për t’u përfshirë në privatizim, kanë hezitime dhe kjo do të mund të reflektohet në uljen e çmimit të aseteve gjatë procesit të privatizimit”
, thotë Sadiku,

Ndryshe, në fund të javës së kaluar, pjesëtarë të policisë së misionit për sundimin e ligjit EULEX, të asistuar edhe nga ata të Policisë së Kosovë, kanë bastisur Postë-Telekomin e Kosovës në Prishtinë, dhe disa lokacione të tjera në Pejë.

Bastisjet kanë qenë të ndërlidhura me hetimet për dyshime rreth çështjeve financiare dhe korrupsionit lidhur me një licencë të telekomunikimit, por që ende nuk dihet për shumën e keqpërdorur.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, pohon se keqmenaxhimi i kësaj kompanie dëmton vlerën e saj, pasi Postë-Telekomi i Kosovës, është një ndër kompanitë më profitabile në vend.
...këtu bëhet fjalë për një keqmenaxhim, apo për një keqqeverisje me postën, që më shumë e dëmton imazhin dhe vlerën e saj, sesa hetimet që po bëjnë polica dhe prokuroria...


“Në aspekt më të hollësishëm, këtu bëhet fjalë për një keqmenaxhim, apo për një keqqeverisje me postën, që më shumë e dëmton imazhin dhe vlerën e saj, sesa hetimet që po bëjnë polica dhe prokuroria”.

“Lëshimi i kontratave të dëmshme, siç është rasti që po hetohet rreth ‘Dardafon-it’ dhe ‘Z Mobile’ apo edhe çështja e punësimeve, korrupsioneve, tenderët e dyshimtë, sponzorimet e ndryshme mund të jenë objekt i hetimeve
”, vlerëson Rexhepi.

Megjithatë, në planin afatgjatë, ekspertët thonë se aktivitete e fundit që po zhvillon EULEX- i kundër korrupsionit, ndikojnë pozitivisht tek investitorët në përgjithësi.

Aktualisht, PTK-ja mund të dëmtohet, por, sipas Muhamet Sadikut, në të ardhmen do të rritet interesimi i investitorëve potencialë, pasi siç, thotë ai, tashmë përpjekjet për ta luftuar korrupsionin janë më të dukshme.

Muhamet Sadiku

“Sa i përket problemit të hetimeve, mendoj se në botë mund të shkojnë dy lloj informatash: Mesazhi i parë është se Kosova përballet me probleme serioze të korrupsionit; Kosova përballet me probleme të keqmanexhimit”.

“Dhe, mesazhi i dytë është se Kosova si shtet i ri, ka vendosur që t’i luftojë këto dukuri. Sa më tepër që të sanksionohen këto veprime, korrupsioni dhe të gjitha veprimet abuzive, lënë të kuptohet për përmirësim të mjedisit biznesor”
, thekson Sadiku.



Megjithatë, deri më tani, sipas zyrtarëve të EULEX-it, nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar për hetimet që janë zhvilluar në Postë-Telekomin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG