Ndërlidhjet

Thaçi takon përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN-së


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ditën e parë të vizitës, Thaçi është pritur në Bankën Botërore nga zëvendëspresidenti për Evropë dhe Azinë Qëndrore, z. Philippe Le Houerou.

Zyra për informim e kryeministrit bën të ditur se "në takim është diskutuar për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për rolin dhe mbështetjen e Bankës Botërore në zhvillimin e kapaciteteve ekonomike, që do të ndikojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës".

Me këtë rast, kryeministri Thaçi potencoi hapat që janë ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim, që ndërlidhen me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, hidrocentralit të Zhurit, si dhe projektin e madh të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë.

Kryeministri Thaçi në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, vlerësoi lart mbështetjen që ky institucion i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës në kuadër të procesit shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që është parakusht i domodoshëm për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, njoftoi kabineti i kryeministrit.

Po sot pasdite, sipas kohës amerikane, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë takime me drejtorin menaxhues të FMN-së, z.Dominique Strauss-Kahn, dhe me drejtorin ekzekutiv, z.Arrigo Sadun.

Në mbrëmje, Thaçi do të takohet edhe me ambasadorin Morton Abramowitz.

Nesër, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime në Departmentin e Shtetit, ndërsa në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbajë ligjëratën me temën "Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike të Kosovës: Sfidat dhe Mundësitë Para Nesh".

Të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, kryeministri Thaçi do të pritet nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joseph Biden, ndërsa të enjten do të zhvillojë takime në Kongresin e SHBA-ve, bëri të ditur zyra për informim e kryeministrit të Ksovës.
XS
SM
MD
LG