Ndërlidhjet

BE: Jo ndarjes dhe rinegocimit të statusit


Në BE dominon qëndrimi se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duhet përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe rinegocimit të statusit.



Edhe Bashkimi Evropian është në pritje të dëgjojë se cili do të jetë mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, dhe pritet që pas shpalljes së këtij vendimi, edhe BE-ja të dalë me një komunikatë se si e sheh procesin e raporteve të Prishtinës dhe Beogradit pas kësaj.

Burime diplomatike në Bashkimin Evropian thonë se ka përpjekje në mes të shteteve anëtare që të përpilohet një qëndrim i përbashkët për të gjitha vendet e BE-së, për të bërë ftesë për një dialog në mes të Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të përqendrohej në zgjidhjen e disa problemeve praktike.

Mirëpo, siç dihet, në Bashkimin Evropian ka edhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato shtete nuk janë në favor që të përjashtohet përfundimisht mundësia e rinegocimit të Kosovës.

Ndërkohë, shumica e vendeve anëtare të BE-së pohojnë se statusi i Kosovës është i zgjidhur; Kosova ka shpallur pavarësinë, këto shtete e kanë njohur dhe nuk mendojnë që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre rreth statusit të Kosovës.

Kështu, në BE dominon qëndrimi se në dialogun ardhshëm në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe duhet përjashtuar mundësinë e rinegocimit të statusit.

Sido që të jetë në Bashkimin Evropian pohojnë se ka kaluar një kohë mjaft e gjatë prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë dhe Kosova tash është në rrugën e saj të integrimeve evropiane, ndonëse kjo rrugë për shkaqe juridike dhe formale nuk është e njëjtë sikurse edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.

Prandaj, në Bashkimin Evropian thonë se do të ishte mirë sikur Beogradi dhe Prishtina, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme rreth statusit, të përqendrohen në një dialog të mirëfilltë, i cili do të mund të kontribuonte edhe në përshpejtimin e rrugës së integrimeve evropiane për të dyja këto vende.

Siç dihet, Bashkimi Evropian kishte shtete, të cilat argumentuan në Hagë në favor të pavarësisë së Kosovës, mirëpo edhe shtete që nuk ishin në grupin e këtyre vendeve, por krahas Rusisë dhe vendeve tjera paraqitën argumente kundër pavarësisë së Kosovës.

Një gjë të tillë e bënë Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qiproja, ndërsa nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia ishte ajo që u përmbajt dhe nuk paraqiti fare argumente në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Po ashtu, në BE pohojnë se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të hënën në takimin e tyre të rregullt, do të diskutojnë edhe për Kosovën dhe për rrugën që do të ndiqet pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Disa burime diplomatike nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë një konfrontim në mes të Serbisë dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, të cilat e kanë njohur Kosovën dhe i kanë paraqitur një vërejtje Serbisë se rruga e saj drejt integrimeve evropiane nuk do të mbetet pa pasoja nëse Serbia insiston që të ketë debat në OKB dhe rinegocim të statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG