Ndërlidhjet

Francë: Futbollistët Ribery dhe Benzema në polici


Policia e Francës i ka marrë sot në pyetje futbollistët Franck Ribery dhe Karim Benzema, në kuadër të hetimeve lidhur me një grup, për të cilin ka dyshime se është marrë me prostitucion të femrave të mitura.

Futbollistët ishin marrë në polici me kërkesë të një gjyqtari hetues, në kuadër të hetimeve se një klub nate në sheshin Shanzelize, u ka mundësuar klientëve qasje te vajzat e mitura.

Një femër e re, e cila është e dyshuar se ka takuar klientë në këtë klub, më herët këtë vit ka dëshmuar para hetuesve, duke thënë se ajo kishte pasur marrëdhënie me të dy lojtarët, kur ajo ishte e mitur.

Nëse dëshmohet se futbollistët Ribery dhe Benzema, kanë paguar për seks me femër të mitur, mund të dënohen me tri vjet burgim dhe dënim prej 45 mijë eurosh.

Më herët, Franck Ribery i ka konfirmuar policisë se ai kishte pasur marrëdhënie seksuale me femrën e re, por kishte këmbëngulë se nuk e kishte ditur se ajo është e mitur.

Karim Benzema nuk ka dhënë deklarata publike lidhur me këtë çështje.

27 vjeçari Ribery luan për Bajernin e Munihut, ndërsa Benzema është anëtar i Real Madridit.
XS
SM
MD
LG