Ndërlidhjet

Kabul: Po kalimit të përgjegjësive tek afganët



Pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin kanë mbështetur qëndrimin e presidentit afgan, Hamid Karzai, që forcat vendore të drejtojnë të gjitha operacionet e sigurisë në vend deri në fund të vitit 2014.

“Ne i vlerësojmë të arriturat e bëra nga ushtria afgane. Mbetem i vendosur që forcat tona të sigurisë të bëhen përgjegjëse për të gjitha operacionet ushtarake e të ruajtjes së rendit në vend deri në vitin 2014”, tha Karzai.

Karzai u tha pjesëmarrësve në takim se Afganistani duhet të ketë kontroll më të madh mbi miliarda dollarët që vijnë si ndihmë për zhvillimin e vendit. Pjesëmarësit e mbështetën edhe këtë kërkesë të Karzait duke vendosur që brenda dy viteve të ardhshme, 50% e fondeve për ndihma e zhvillim, që hyjnë në Afganistan, të kalojnë përmes qeverisë në Kabul. Deri tani përmes qeverisë afgane kalojnë vetëm 20% e fondeve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun dhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton kërkuan nga qeveria afgane të bëjnë më shumë për të luftuar korrupsionin.

Kreu i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen tha se forcat e Aleancës do të mbeten në Afganistan edhe pasi forcat vendore të marrin përgjegjësitë për çështjet e sigurisë.

Në konferencë po marrin pjesë përfaqësues nga mbi 70 vende dhe organizata.
XS
SM
MD
LG