Ndërlidhjet

A po marrin serbët dokumente kosovare?


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica

Përfaqësuesit e Zyrë së Shërbimit Civil, e cila është hapur në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, thonë se interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me dokumente të Republikës është i madh. Megjithatë, qytetarët e komunitetin serb japin mendime të ndryshme rreth interesimit të tyre për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.


Interesimi i qytetarëve të veriut të Mitrovicës për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës, sipas përfaqësuesit në Zyrën e Shërbimit Civil në Lagjen e Boshnjakëve, është i madh.

Hapja e kësaj zyre në fillim të këtij muaji kishte shkaktuar protesta dhe incidente. Më 2 korrik, kur edhe ishte hapur kjo zyrë, disa dhjetëra serbë protestuan në Lagjen e Boshnjakëve kundër hapjes së Zyrës së Shërbimit Civil.

Gjatë protestës së organizuar nga serbët, nga shpërthimi i një granate dore u vra një banor i Lagjes së Boshnjakëve dhe u plagosën 11 të tjerë.

Një ditë më vonë, po në pjesën veriore u plagos edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, interesim për të marrë dokumente kanë treguar qytetarët e të gjitha komuniteteve, përfshirë ata të komuniteti serb dhe boshnjak.

Arife Loxha, zyrtare e Regjistrimit Civil nga Ministria e Punëve të Brendshme, thotë se qytetarët që marrin dokumentet e Kosovës janë nga Leposaviqi, Zubin-Potoku dhe Lagjja e Boshnjakëve.

Zyra e Shërbimit Civil në Mitrovicë

Numri i aplikuesve deri tash ka arritur gjithsej rreth 30. Tetë janë nga minoriteti serb, pesë nga ai boshnjak, edhe aplikues për pasaporta i kemi dy”.

“Sa i takon Lagjes së Boshnjakëve, në këtë zyrë çdo gjë është në rregull. Kemi mjaft aplikues të interesuar, si të minoritetit serb, ashtu edhe të atij shqiptar dhe boshnjak. Kemi edhe qendrën e certifikatave ku gjatë ditës arrijnë deri në 10-15 certifikata”,
thotë zonja Loxha.


Në Zyrën e Shërbimit Civil punojnë bashkë shqiptarët dhe serbët, ndërsa Policia e Kosovës bën vazhdimisht sigurimin e tyre gjatë orarit të punës.

Në këtë zyrë lëshohen dokumente, si: certifikata të lindjes, vdekjes, letërnjoftime dhe pasaporta.

Derisa zyrtarët thonë se interesimi i qytetarëve për të marrë dokumente të Kosovës është i madh, disa banorë serbë që jetojnë në pjesën veriore të vendit thonë se nuk kanë interes për t’i marrë dokumentet e Qeverisë së Kosovës.

Ky automjet me targa Serbisë pret para Zyrës së Shërbimit Civil në Lagjen e Boshnjakëve

“Jo, nuk ka mundësi, i kam dokumentet e Serbisë dhe dokumentet e Kosovës asgjë nuk më duhen. Nuk e kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë, në asnjë mënyrë, kurrë. Çka më duhen ato dokumente? Jam lindur në veri edhe jetoj këtu dhe kjo është punë e kryer”
, shprehet Tima Tijeviq nga Zveçani.

Por, shqiptarët dhe disa nga banorët e komuniteti boshnjak, hapjen e Zyrës së Shërbimit Civil në Lagjen e Boshnjakëve, e shohin ndryshe nga serbët.


Ata pohojnë se hapja e një zyre të tillë ua lehtëson punën për nxjerrjen e dokumenteve. Hasan Ademi, qytetar i përkatësisë etnike boshnjake, thotë:

“Shumë më lehtë dhe më mirë është që është hapur Zyra në pjesën veriore. Unë e kam pasur letërnjoftimin e UNMIK-ut, tash po dua ta kem edhe letërnjoftimin e Kosovës. Të gjithë anëtarët e familjes kemi nxjerrë dokumente, babai, nëna, vëllai, motra të gjithë”.

Zyrtarët komunalë në pjesën jugore të lumit Ibër, besojnë se hapja e Zyrës për Shërbime Civile është një veprim i mirë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Riza Haziri

Nënkryetari i Komunës e Mitrovicës, Riza Haziri, thotë se të gjitha përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit në veri, do të kenë rezultate në të ardhmen.

“Hapja e Zyrës Civile në Lagjen e Boshnjakëve, konsiderojmë se ishte një gjest jashtëzakonisht i mirë, ishte një punë e bërë mirë nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që të ofrohen shërbime civile, do të thotë pajisja me dokumentacion për atë pjesë të popullatës”.


“Të gjitha përpjekjet e Kuvendit Komunal për shtrirjen e pushtetit në pjesën veriore të qytetit janë konform strategjisë që ka dalë nga Qeveria e Kosovës"
përfundon Haziri.
XS
SM
MD
LG