Ndërlidhjet

Filips: Arrestojini shkelësit e profilit të lartë!


David Filips, përfaqësues i Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme

David Filips, përfaqësues i Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme

Kritika për mungesë ligji, për shtet joformal, krim të organizuar e korrupsion, janë dëgjuar në debatin “Kuptimi i pavarësisë, sipas raportit të Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme”. Ndërsa, përfaqësues të pushtetit kanë mbrojtur veten, duke thënë se është lehtë të kritikohet, shoqëria civile ka ngritur zërin se Kosova e ka humbur kredibilitetin me mosluftimin e dukurive negative. Në këtë debat është riaktualizuar sërish funksionimi i SHIK-ut.


Dy vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe në prag të dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përfundim i një debati në Prishtinë, ka qenë se Kosova nuk i ka punët mirë në çështjet e brendshme.

Mbizotërimi i joformalitetit, mosgatishmëria për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, funksionimi i mëtejmë i SHIK-ut, kanë qenë ndër temat që kanë nxitur debat të ashpër në konferencën “Kuptimi i pavarësisë sipas raportit të Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme”.

Përfaqësuesi i këtij komiteti, David Filips, ka sjellë thekse nga raporti i publikuar kohë më parë, ku vihen në pah sfidat para shtetit më të ri në botë.

Ai ka theksuar se pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për të minuar progresin në Kosovë, është vetë politika kosovare, që po i ndihmon kësaj çështjeje.

Filips ka kritikuar misionin evropian për sundimin e ligjit se nuk po kryen punën e tij, ndërsa ka thënë se nëse qeveria është serioze në luftimin e korrupsionit, atëherë këtë duhet ta zbatojë dhe në praktikë.

Kjo nënkupton se duhet të arrestojë shkelësit e profilit të lartë, pa marrë parasysh se kush janë, apo lidhjet e tyre familjare. Të përkëdhelurit e zyrtarëve qeveritarë të emëruar në poste që kanë lidhje me luftën kundër korrupsionit, duhet larguar”.

“Duhet miratuar ligji anti-mafia dhe ai për konfiskimin e pasurisë. Edhe pse SHIK-u është shpërbërë zyrtarisht më 2008, anëtarët e SHIK-ut ende operojnë dhe aktivitetet e tyre nuk sjellin asgjë tjetër, vetëm mosbesim dhe probleme për njerëzit dhe Qeverinë e Kosovës, me të cilët anëtarët e SHIK-ut ende kanë lidhje të ngushta”,
ka thënë Filips.

Por, ashtu siç e ka kundërshtuar, në kohën e publikimit, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke folur dhe në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur të njëanshëm, një pjesë të raportit.

“Sa i përket SHIK-ut, mendoj se ka qenë i njëanshëm. Nëse hyjmë në këtë temë, në Kosovë deri para pavarësisë ka pasur edhe shërbime tjera, së paku tri, apo katër, dhe është apostrofuar vetëm një”.

“Për mua kjo ka qenë e mjaftueshme për të thënë se në këtë segment ka qenë tepër i njëanshëm. Nuk dua t’ju përmend segmente tjera, mendoj se i gjithë opinioni në Kosovë e di, kur njerëzit bëjnë paraqitje të njëanshme, natyrisht edhe reagimet mund të jenë pak të ashpra”,
është shprehur Krasniqi.

Klubi për Politikë të Jashtme, Prishtinë 20 korrik 2010

Shërbimi Informativ i Kosovës, për të cilin thuhet se ka qenë organ i Partisë Demokratike të Kosovës, është shpërbërë në vitin 2008.

Por, raporti i Komitetit Amerikan për Politikë të Jashtme vë në pah se brenda një viti edhe më tej anëtarë të kësaj strukture mbledhin rreth 200 milionë euro nga e ashtuquajtura metodë reketimi.

Publicisti Veton Surroi, ka përmendur katër faza, atë të themelimit, funksionimit, financimit dhe të zhbërjes së SHIK-ut, duke i quajtur që të katra si joformale dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.


“Nëse në këto katër segmente, SHIK-u ka hyrë në joformalitet dhe ka vazhduar e përfunduar me joformalitet, atëherë në përcaktimin e sundimit të ligjit unë do të thosha se kemi një pushtet legjislativ, i cili ka lejuar joformalitetin, apo e ka pranuar dhe e pranon ende joformalitetetin”.

“Kemi një pushtet ekzekutiv, që ka pranuar dhe e pranon joformalitetin dhe kemi një gjyqësor që pranon joformalitetin. Në momentin kur këto pushtete pranojnë joformalitetin, atëherë kanë pranuar se nuk janë të vetmet struktura të pushtetit në Kosovë, pra ekziston një konkurrencë”
, ka thënë Surroi.

Në anën tjetër, zërat kritikë ndaj qeverisë, kanë ardhur nga vetë partnerja e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kreu i Komunës së Prishtinës dhe anëtar i lartë i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar përgjigje për një sërë problemesh, që, sipas tij, sot po e ngufasin Kosovën.

”EULEX-i ka zhvilluar aksione spektakulare dhe ka mbetur në procedurë. Unë nuk dëshiroj tash të paragjykoj se çfarë do të ndodhë më tutje”.

“Kryeministri ka thënë se ka tolerancë zero ndaj korrupsionit, por deri më tash as Qeveria, as kryeministri nuk kanë vepruar në asnjë rast, me të cilin do të kishin dhënë shembull se diçka u bë kundër korrupsionit në Kosovë dhe diçka po bëjmë që ne ta forcojmë shtetin ligjor”
, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Ilir Deda, ka dhënë një sugjerim, se kur lufta kundër korrupsionit mund të quhet e suksesshme.

“Nëse 11 vjet pas luftës një pjesë e rinisë mendon se duhet të shkojë në institucione për t’u pasuruar, ky është problemi më i madh. Këtu rol kyç ka edhe bashkësia ndërkombëtare”.

“Pa arrestim të ministrave, që janë përgjegjës, nuk do të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit, nëse merren ‘peshqit e vegjël’, ndërsa ‘peshqit e mëdhenj’, janë aty ku janë apo shpërblehen me poste të ndryshme”,
ka theksuar Deda.

Ndryshe, David Filips, në debatin e organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ka kërkuar që të sqarohet një artikull në të përditshmen “Infopress”, ku pas publikimit të raportit për Kosovën, ai është quajtur agjent i Serbisë.

“Më duhet të them se s’ka asgjë më ofenduese për mua sesa të më akuzojnë si spiun i Serbisë. Unë i kam dedikuar 23 vjet të jetës sime, natyrisht me zgjedhjen time, dhe pa kompensim, ndihmës për Kosovën, që ta realizoj pavarësinë e saj”.

Pasi që ‘Infopress’ kontrollohet nga një anëtar i Parlamentit, që është i PDK-së, dua ta di nëse ky qëndrim është i PDK-së, se jam agjent i Serbisë, apo se veproi në emër të dikujt tjetër”.

“Dhe nëse ky dezinformim është paraqitur dhe nëse ky qëndrim është paraqitur në bashkëpunim me Qeverinë, kërkoj që Qeveria të më kërkojë falje”
, është shprehur Filips duke kërkuar shpjegim.

Jakup Krasniqi ka thënë se nuk do të flasë për ato që shkruhen në media, pasi, sipas tij, mediat e kanë lirinë të shkruajnë çka të dëshirojnë.

Por, kryeredaktori i “Infopressit”, njëherësh deputet i PDK-së, Rexhep Hoti, ka kërkuar nga zoti Filips që ai t’i kërkojë falje gazetës, meqë, sipas tij, artikulli në fjalë, ka qenë një opinion dhe nuk ka qenë qëndrim i gazetës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG