Ndërlidhjet

Kamerun: Skocia, përgjegjësja e vetme për lirimin e Al Megrahit



Kryeministri britanik, Dejvid Kamerun tha se vendimi i Skocisë për të liruar autorin e sulmit në Lokërbi ishte “plotësisht i gabuar”. Kamerun shtoi se qeveria skoceze është e vetmja përgjegjëse për lirimin e Abdelbaset Ali al-Megrahi dhe nuk duhet fajësuar gjiganti i naftës British Petrolium për këtë vendim. Al Megrahi ishte i burgosur në Skoci pas sulmit të vitit 1988 ku humbën jetën 270 persona, shumica amerikanë. Në media ka pasur raporte, sipas të cilave BP-ja qëndronte pas vendimit për lirim, në shkëmbim të kontratave në Libi, vend i pasur me naftë.

Deklarata e kryeministrit britanik u bë gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me presidentin Obama. Kamerun hodhi poshtë mundësinë për hetime rreth kësaj çështje.

Irani dhe Afganistani ishin dy tema të tjera që zunë vend të rëndësishëm në takimin Obama-Kamerun.

“Irani duhet të heqë dorë nga përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore. Kërkojmë nga regjimi iranian që të rifillojë bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare pa vonesë. Por në mungesë të një partneri të vullnetshëm ne do të zbatojmë me përpikmëri sanksionet e Kombeve të Bashkuara, Në Evropë do të marrim edhe masa të tjera shtesë në këtë drejtim”, tha Kamerun.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Dejvid Kamerunit në Uashington që nga ardhja në postin e kryeministrit britanik.
XS
SM
MD
LG