Ndërlidhjet

Tërmkolli: Për rigjykimin e Haradinajt, e interesuar Serbia

  • RFE /RL

Kuveni i Kosovës (foto nga arkivi)

Kuveni i Kosovës (foto nga arkivi)

Rigjykimi i pjesshëm i kryetari të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nxitur debat në Kuvendin e Kosovës. Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e ka cilësuar si lajm shqetësues, por edhe të dhimbshëm, vendimin e Apelit. Ndërkohë, deputetë të AAK-së, kanë thënë se për rigjykimin është e interesuar Serbia, por edhe qarqe të caktuara brenda Kosovës. Krasniqi ka kërkuar që të mos politizohet rasti.



Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për rigjykimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, të cilit iu shqiptua vendimi i Apelit të Tribunalit të Hagës një ditë më parë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se lajmi për rigjykimin e pjesshëm të Ramush Haradinajt ka shqetësuar opinionin, institucionet dhe Kuvendin e Kosovës.

Jakup Krasniqi

“Një lajm i tillë ka shqetësuar institucionet e Kosovës, veç të tjerave dhe për faktin se ajo është bërë në prag të një vendimi të madh që është pritur nga të gjithë qytetarët e Kosovës".

"Edhe kësaj radhe drejtësia do të triumfojë dhe ne kemi besim në drejtësinë ndërkombëtare dhe presim të dalë e vërteta në shesh dhe Haradinaj t’i kthehet, edhe familjes, edhe politikës në Kosovë”
, ka deklaruar Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.


Ish-deputetja e LDK-së, që tashmë ka kaluar në AAK, Melihate Tërmkolli, ka thënë se për rigjykimin e Haradinajt, është e interesuar Serbia, por edhe qarqe brenda dhe jashtë Kosovës.


Melihate Tërmkolli

“Për rigjykimin e z Ramush Haradinaj, është shumë e qartë se është tepër e interesuar Serbia, por, po ashtu, është shumë e qartë se janë të interesuara edhe qarqe të caktuara brenda dhe jashtë Kosovës”.

“Do të thosha se nuk është mirë të gëzoheni shumë. Mos u gëzoni shumë se koha e errët e sundimit të Qeverisë Thaçi po perëndon. Po vjen koha e Ramush Haradinajt, dhe ai, si kryeministër i Kosovës do të ketë shumë punë për të ndërtuar vendin, të cilin pandalshëm po e shkatërrojnë kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu”,
është shprehur Tërmkolli.


Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeparlamentari, duke kërkuar që rasti të mos politizohet.

“Ky rast është i dhimbshëm, është shqetësues dhe nuk duhet politizohet për ta akuzuar këtë apo atë. Ne, edhe në të kaluarën, jemi përmbajtur nga gjykime të tilla”
, ka thënë Krasniqi.

Por, edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka pohuar se dikujt po i përshtatet, që në këtë kohë vendimtare për Kosovën, Haradinaj të gjendet në Hagë.

Ahmet Isufi

“Pas dy vjetësh përsëritet një storie, e cila lë përshtypjen se dikush nuk e do stabilitetin e Kosovës, se i vjen erë e keqe kësaj gjendjeje, në momentin kur në GJND kemi një gjykim - padia nga ana e Serbisë për pavarësinë e Kosovës”.

“Kjo lidhje na bën me dije se dikujt i ka konvenuar që z Haradinaj të kthehet përsëri në Hagë, pa asnjë paralajmërim, përveçse një ditë para nisjes së tij për në Hagë”, ka theksuar deputeti Isufi.


Njohës të çështjeve juridike, kanë thënë se rigjykimi i pjesshëm i rastit Haradinaj dhe të tjerët, është shumë i rrallë, meqë, siç thonë në Tribunalin e Hagës, s’ka pasur asnjë rast të tillë, të rifillojë gjykimi për një pjesë të po të njëjtave akuza.

Aktualisht, Ramush Haradinaj dhe Lah Brahimaj gjenden në paraburgim në Hagë. Këshilli Drejtues i AAK-së, do të takohet gjatë ditës për të diskutuar gjendjen e krijuar pas vendimit të Apelit.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i AAK-së ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të bëjnë të gjitha veprimet zyrtare për ta kthyer Haradinajn në Kosovë.

Një kërkesë e tillë është mbështetur edhe nga deputetë të partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës.

Lexoni edhe këto: Hagë: Rigjykim i pjesshëm për rastin Haradinaj
AAK: Rigjykimi, lajm i keq për Kosovën
XS
SM
MD
LG