Ndërlidhjet

IHT: “Konflikti rishfaqet bashkë me mësimet nga shtetformimi”



"International Herald Tribune"


Përpara Afganistanit dhe Irakut, rreth një dekadë më parë, preokupimi i Uashingtonit ishte Kosova, e cila aktualisht nuk është në qendër të vëmendjes.

Njëmbëdhjetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s dhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, shteti i ri po përpiqet të konsolidojë pozicionin e vet në hartë, e për këtë kërkon ndihmën amerikane.

Kryeministri Thaçi po viziton Uashingtonin ndoshta në javën më të rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

Natyrisht Kosova nuk është as Irak, e as Afganistan për një mori arsyesh, por vazhdimi i tensioneve në Ballkan shërben si kujtesë rreth asaj se sa sfiduese dhe afatagjata janë angazhimet amerikane në shtetndërtim.

Edhe pse luftimet në Kosovë ka kohë që kanë përfunduar, edhe pse janë 1480 ushtarë amerikanë si pjesë e forcës së NATO-s në, puna nuk ka përfunduar ende.

Kosova ishte shteti i fundit që doli nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe ka ofruar prej kohësh mësime për Shtetet e Bashkuara lidhur me ndërhyrjet e mëpasme në Afganistan dhe në Irak dhe mënyrën e menaxhimit të dhunës ndëretnike dhe dallimeve fetare.

Nga ana tjetër, vendimi i shumëpritur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të jetë këshillues, por është në gjendje që ta përkeqësojë situatën, pavarësisht përfundimit.

Analistët presin një lloj vendimi të baraspeshuar, por zyrtarët e administratës Obama thanë se kanë besim se Gjykata do të konfirmojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Zoti Bajden e bëri të qartë pas takimit me zotin Thaçi në Uashington se Uashingtoni qëndron pas Kosovës.

Me gjithë tensionet rreth serbëve që jetojnë në veri të Mitrovicës, zoti Thaçi kërkoi ndihmën e Uashingtonit për t'u pajtuar me Serbinë. Por, Thaçi theksoi se që “nga shpallja e pavarësisë, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim”.

Nga ana tjetër, qeveria serbe fajëson Kosovën se nuk dëshiron kompromis.

Ambasadori i Serbisë në Uashington citohet të ketë thënë se, “duam SHBA-të dhe faktorët e tjerë të mbështesin idenë e sjelljes së palëve në tryezë për një zgjidhje të pranuar nga të gjitha palët”.

Të gjitha këto e lënë administratën Obama në mes të rrugës, ashtu siç është në shumë pjesë të tjera të botës, thjesht pa një rrugë të caktuar drejt zgjidhjes përfundimtare.

Eksperti amerikan Alan Kuperman thotë se administrata Obama duhet të kërkojë nga shqiptarët t’u japin autonomi serbëve në veri, por ai shton se “amerikanët nuk janë të gatshëm të jenë të ashpër me shqiptarët”.

“Nëse qëllimi i ndërhyrjeve dhe shtetndërtimit është të dalim nga kaosi e të vendosim rregull, atëherë ne ia kemi arritur këtij qëllimi në Bosnje, Kosovë e Maqedoni”
, thotë për gazetën Kritofer Çivid, specialist për Ballkanin.

Por, nëse qëllimi është të ndërtojmë një demokraci të stilit perëndimor atëherë nuk ia kemi dalë, thotë Çivis, duke shtuar se në këto kushte duhet të rishohim pritjet tona rreth të ardhmes së Afganistanit e Irakut. (i.b.)
XS
SM
MD
LG