Ndërlidhjet

logo-print
Numri i përdoruesve të rrjetit social Facebook ka arritur në 500 milionë, që do të thotë se një në çdo 14 persona në botë janë regjistruar në këtë rrjet. E gjithë kjo ka ndodhur brenda gjashtë vjetësh.

Fillimisht, Facebook u lansua vetëm në gjuhën angleze, por shumë shpejt mori hov dhe në gjuhë të tjera.

Rrjeti social nisi versionin në gjuhën arabe në mars të 2009-ës dhe disa muaj më vonë numri i shfrytëzuesve në Irak u rrit 100 për qind, pavarësisht lidhjeve të dobëta të internetit dhe ndërprerjeve të shpeshta të energjisë.

Haidar Radhi thotë se shpenzon disa orë në ditë në Facebook. Ai thotë se kjo ueb-faqe u ofron të rinjve irakianë mundësinë për të parë botën në më shumë dimensione – edhe pse virtuale.

“Unë jam i regjistruar në Facebook dhe atë e përdor për të komunikuar me miqtë në vende të ndryshme, sikurse edhe në Irak. Facebook-u hap shumë dyer për të rinjtë. Është një kulturë e re, na sjell më afër botës”,
thotë Haidar Radhi.

Përdoruesit mesatarisht shpenzojnë 23 orë e 20 minuta në muaj për të komunikuar me njëri-tjetrin.

Njëzetekatërvjeçari irakian Hassan Kadhim Issa, inkuadrohet në rrjetin social çdo ditë.

“Unë jam në kontakt të përditshëm me 20 apo 25 persona. Kaloj një ose dy orë me ta çdo të dytën apo të tretën ditë. Unë lidhem në shtëpi, në kafetë e internetit, por dhe në punë. Më pëlqen, sepse më jep mundësinë të njoh kultura të reja, anë të reja të botës, të mësoj gjëra të reja”.


Rrjeti i njohur social ka pësuar një zgjerim të shpejtë edhe në Rusi, edhe pse eksperti i mediave sociale, Anton Nossik, thotë se lansimi në gjuhën ruse i Facebook-ut, ka marrë kohë të gjatë.

Facebook-u nuk ka bërë kurrë ndonjë përpjekje për t’iu shërbyer përdoruesve në Rusi, derisa ka filluar të operojë në gjuhën ruse në vitin 2009. Që atëherë, numri i përdoruesve është rritur edhe për një milion. Pra, tani mund të thuhet se Facebook-u është njëra nga faqet që po popullarizohet me shpejtësinë më të madhe”, thotë Anton Nossik.

Facebook-u tërheq, jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe liderët politikë. Ata ndërtojnë prezencën e tyre në botën virtuale me shkrimin e blogëve, apo edhe me postimin e fotografive.

Nosik thotë se në Rusi, 15 vjet më parë, askush nuk e dinte se ç’do të thoshte fjala “blog”, por jo edhe tani.

“Sot, ne shohim blogët e atyre politikanëve, të cilët e dinë pse u duhen, por ka dhe nga ata që mendojnë se nuk u duhen. Për shembull, kryeministri Vladimi Putin nuk ndjen nevojë për të bashkëvepruar me audiencën përmes blogëve në Twitter apo ndonjë rrjeti tjetër social, përderisa presidenti Dmitri Medvedev ka një blog të tijin në kremlin.ru, qasje në Youtube dhe në Twitter”
, tregon Nosik.

Në Iran, Facebok-u dhe faqet e ngjashme janë bërë pjesë përbërëse e jetës private dhe asaj publike.

Lëvizja e Gjelbër opozitare shfrytëzoi rrjetet sociale për të publikuar foto dhe filmime të përleshjeve pasgjedhore në Iran. Një gjë e tillë solli dënimin ndërkombëtar të Teheranit.

Por, protestuesit nuk janë të vetmit që kanë njohur fuqinë e rrjeteve sociale në kohë krize. Lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, iu bashkua Twiterit së fundi.

Pra, është vështirë të thuhet sa mund ta ndryshojnë botën rrjetet sociale.

Gazetari iraniano-amerikan, Cyrus Farivar, thotë:

“Lëvizja e Gjelbër e nisi… ishin të gjitha ato aktivitete online, ato video dhe njerëz, të cilët më parë nuk kishin të bënin me Iranin, nuk kishin lidhje familjare, nuk kishin interesa, por, megjithatë, kanë vendosur të marrin pjesë. Nga njëra anë ishte mirë, por në anën tjetër Republika Islamike mbetet Republikë Islamike”.


Të gjithë ata janë përpjekur të tërheqin një numër të madh të përdoruesve dhe ta bëjnë botën një vend më të vogël.

Por, nëse mund ta bëjnë botën një vend më ideal, mbetet për t’u parë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG