Ndërlidhjet

logo-print

Klinton fton për njohje të pavarësisë së Kosovës

  • RFE /RL

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili e ka cilësuar të rregullt Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga vendet evropiane që të “bashkohen” me këtë vendim.

“Vendimi i GJND-së fuqishëm thekson se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është legale dhe këtë ne e mbështesim”
, i ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Filip Krouli, agjencisë FP.

“Tash është koha që Evropa të bashkohet ndaj së ardhmes së përbashkët”
, ka theksuar zoti Krouli.

Pak para vendimit të GJND-së, zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, i ka telefonuar presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe i ka riafirmuar mbështetjen e plotë për Kosovën demokratike dhe multi-etnike, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Në bisedë, para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, zoti Bajden ka theksuar përsëri përkushtimin e pandryshuar të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe intergitetin territorial të Kosovës dhe ka kërkuar që Qeveria e Serbisë të punojë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve praktike me Kosovën.

Në anën tjetër, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka deklaruar se Serbia dhe Kosova duhet t’i menjanojnë tash dallimet, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka gjetur se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Ne ftojmë të gjitha vendet që të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në frymë konstruktive, në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një hap të tillë”, ka thënë Klinton.

“Serbia dhe Kosova janë miq dhe partnerë të Shteteve të Bashkuara. Tash është koha që ato t’i lënë anash dallimet dhe të lëvizin përpara, duke punuar së bashku në zgjidhjen e çështjeve praktike dhe duke përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë, Serbi dhe rajon”, ka deklaruar Klinton.

“Kjo është rruga drejt së ardhmes së tyre si pjesë të Evropës, si pjesë të tërësishme, të lira dhe në paqe. Në i mirëpresim përpjekjet e BE-së për t’i ndihmuar të dyja vendet në realizimin e synimeve evropiane”, ka thënë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG