Ndërlidhjet

logo-print

Hyseni: Presim njohje të mëtejme

  • RFE /RL

Hagë, 22 korrik 2010.

Hagë, 22 korrik 2010.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka mirëpritur mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërrmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë dhe nuk lë vend për dyshim. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, thuhet në deklaratën e ministrit Skënder Hyseni.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen”.

“Nuk ka asgjë në mendimin e dhënë nga Gjykata që hedh çfarëdo dileme rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës, tashmë një realitet i pakontestueshëm”, vijon deklarata e ministrit të jashtëm të Kosovës.

“Shihet qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent. Kosova është dhe gjithnjë ka qenë një rast i veçantë. Pavarësia e Kosovës është në interes të të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

“E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Për këtë arsye, duhet të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Këtë e kërkojmë ne. I takon Serbisë tani që të jetë në nivel të përgjegjësive”, thekson ministri Hyseni.

“Duam të ritheksojmë gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar çështje praktike të interesit të ndërsjellë me Serbinë. Çfarëdo bisedash me Serbinë, duhet të jenë mbi baza të barabarta, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë kosovare.
XS
SM
MD
LG