Ndërlidhjet

Sejdiu: Ditë e bekuar për Kosovën


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ditë të bekuar për Republikën e Kosovës ditën e sotme, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në favor të Kosovës, duke thënë se shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

”Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve, që ka marrë Kosova. Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës se Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë më të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi".

"Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të bazueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj, nga gjithë bota demokratike”, tha presidenti Sejdiu në një konfernecë për gazetarë, pak pas përfundimit të seancës së GJND-së.

Ai ka thënë se mendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, duke u bërë thirrje këtyre vendeve që ta marrin këtë vendim sa më shpejt.
XS
SM
MD
LG