Ndërlidhjet

AAK: Triumf historik i Kosovës


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësoi se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në mënyrë të plotë, edhe formalisht, konfirmoi triumfin historik të së drejtës së Kosovës për liri dhe pavarësi".

"Duke qenë në dijeni me zhvillimet bashkëkohore, si dhe duke njohur shtrirjen dhe rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare, AAK vlerëson së mendimi i Gjykatës në gjithë dimensionin, shtrirjen, thellësinë dhe domethënien e tij, ishte një mendim i cili përfundimisht ka rrënjosur pavarësinë e Kosovës jo vetëm në politiken bashkëkohore, por edhe në të drejtën ndërkombëtare", thuhet në deklaratën e AAK-së.

"Në këtë frymë, AAK i vlerëson lart sidomos referimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj themeleve të së drejtës ndërkombëtare. Ky vendim e afirmon shpalljen e pavarësisë si një proces legjitim i vullnetit më të lartë të qytetareve të Kosovës, i shprehur nëpërmes përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, ky vendim e hap rrugën që edhe Kosova të jetë anëtare e barabartë në të gjitha institucionet ndërkombëtare", thekson deklarata e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG