Ndërlidhjet

Tadiq dhe Jeremiq nuk pajtohen me disfatën në Hagë

  • RFE /RL

Hagë, 22 korrik 2010.

Hagë, 22 korrik 2010.

Me lutje në kishat ortodokse, Beogradi ka pritur një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që nuk do të trazonte shumë asnjërën nga palët.

Në vend të kësaj, GJND-ja, pa asnjë dilemë, ka pohuar se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë dokument ndërkombëtar.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, pas vendimit, ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë betejën politike në Kombet e Bashkuara.

“Ky vendim i GJND-së na mundëson që për politikën e vet të drejtë, Serbia të vazhdojë betejën në vjeshtë, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të kërkojmë miratim të rezolutës që ky konflikt historik shqiptaro-serb të zgjidhet përmes bisedimeve”, ka thënë Boris Tadiq.

Ndërkaq, duke dalë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka ftuar qytetarët e Serbisë që të ruajnë qetësinë.

“Sot, kemi dëgjuar interpretim të kufizuar të tekstit të deklaratës, ndërsa vendimi politik duhet të merret në Kuvendin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Serbia, në asnjë rast, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë dhe besoj as ai i lojtarëve kryesorë ndërkombëtarë”, ka thënë Vuk Jeremiq pas vendimit të GJND-së.

Eksperti serb i së drejtës ndërkombëtare, Vojin Dimitrijeviq, ka deklaruar se GJND-ja ka shmangur debatin për çështjet, për të cilat ka insistuar Beogradi.

“Ata kanë shmangur debatin për integritetin territorial, për të drejtën e vetëvendosjes dhe madje nuk janë deklaruar as për regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ata vetëm kanë konstatuar se çdo popull, në një çast të caktuar, shpall pavarësinë. Gjithashtu kanë pohuar se e drejta ndërkombëtare këtë nuk e ndalon”, ka deklaruar Vojin Dimitrijeviq, për të konkluduar:

“Kur çështjen e lëvizni nga Këshilli i Sigurimit në të drejtën ndërkombëtare, ju nuk mund të prisni mendim kundër asnjë lloj deklarate për pavarësi, sepse kjo është rruga, përmes së cilës shumica e shteteve janë themeluar”, ka thënë Dimitrijeviq. (m.k.)
XS
SM
MD
LG