Ndërlidhjet

Liderët: Ditë e bekuar për Kosovën


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Prishtina e ka mirëpritur mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia nuk bie ndesh me asnjë dokument ndërkombëtar. Presidenti e ka quajtur ditën e sotme të bekuar, ndërsa liderët tjerë kanë thënë se presin njohje të reja dhe hapje të perspektivës euro-atlantike për Kosovën.


Gëzim, ndjenjë triumfi dhe lehtësimi ka mbizotëruar te liderët kosovarë, pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u deklarua se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt, nuk shkeli asnjë dokument ndërkombëtar.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ditën e sotme të bekuar. Ai ka thënë se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e mirëpresin dhe e çmojnë shumë lart urtësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje”.


Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj nga e mbarë bota demokratike”, ka thënë Sejdiu në një konferencë për gazetarë, pas përfundimit të seancës së GJND-së.

Presidenti Sejdiu ka theksuar se vendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe iu ka bërë thirrje këtyre vendeve që ta marrin këtë vendim sa më shpejt.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka pritur që vendimi i GJND-së të jetë në favor të Kosovës, por ai është befasuar për të mirë me vendimin që e ka quajtur shumë konkret dhe të drejtpërdrejtë.

“Sot, për qytetarët e Kosovës, për institucionet e Kosovës, për ne si përfaqësues të popullit, është një ditë e rëndësishme, një ditë që hap perspektiva të reja dhe njohje të reja dhe krijon një pozicion të avancuar të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar”
, është shprehur Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka shtuar se opinioni i GJND-së nuk do t’i shërbejë vetëm Kosovës, por të gjithë atyre miqve ndërkombëtarë, që e kanë mbështetur shtetin më të ri, gjatë gjithë këtyre viteve.

Hagë, 22 korrik 2010.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se pas mendimit të 22 korrikut të GJND-së, askush në botën demokratike nuk ka asnjë arsye që ta pengojë hapërimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç është dhe OKB-ja.

“Ky është vendim i organit më të lartë të OKB-së, dhe unë besoj se me automatizëm, edhe Këshilli i Sigurimit, edhe të tjerët do ta kuptojnë se ky vendim është legal, është legjitim dhe unë besoj që tashmë janë hapur rrugët dhe është vetëm çështje kohe dhe procedurale anëtarësimi i Kosovës në OKB, por nuk ka ndonjë pengesë tjetër në hapërimin e Kosovës”, ka thënë Kuçi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe partitë opozitare e kanë mirëpritur vendimin e GJND-së, duke thënë se qartësia dhe saktësia e tij, kanë qenë befasuese për to.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur mendimin e GJND-së, një triumf për Kosovën. Nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala, ka thënë se GJND-ja dha më shumë sesa u prit nga kosovarët.

“Diçka e tillë është pritur, por duhet thënë realisht jo në përmasat e një qartësie dhe saktësie që e pamë sot, e që shkoi në dobi të Republikës së Kosovës. Mendoj, që veçmas ka qenë me rëndësi që raporti i forcave ka qenë 10 me 4, pra në favor të Kosovës kanë votuar edhe gjykatësit nga shtetet që nuk na kanë pranuar”.

“Ajo çfarë ka ndodhur sot është një rekapitullim i historisë të së drejtës në tre shekujt e fundit dhe, po ashtu, një rekapitullim i zhvillimeve politike dhe historike prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitin 1991 deri në vitin 2008, kur u bë Kosova shtet i pavarur”,
ka pohuar Shala.

Në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas pavarësisë, dita e sotme ka qenë më e mira për Kosovën.

“Ishte një vendim aq eksplicit, aq unanim, dhe mbi të gjitha një elegancë aq e mirë profesionale e arsyetimit të gjykatës, sa që ka imponuar një respekt të shtuar për drejtësinë ndërkombëtare”.

“Ndjehem i lumtur si qytetar i këtij vendi, ndërsa si lider i një partie opozitare na pret një rrugë shumë e përgjegjshme, nga tash e deri më 15 shtator, kur është Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”.

“Uroj që kësaj radhe të mbledhim mend; presidenti i vendit ta tubojë tërë spektrin politik që e formon shtetin e Kosovës dhe të përgatitet një qasje shumë serioze e profesionale, në mënyrë që sa më parë të jetë e mundur që Kosova t’i bashkohet shoqërisë së Kombeve të Bashkuara”,
është shprehur Daci.

Pas mendimit të GJND-së, njëra nga përfaqësueset e serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se në të ardhmen pret mbështetjen e Beogradit për serbët e Kosovës.

“Kjo, përfundimisht paraqet dështim të politikës së vazhdueshme të udhëhequr nga Beogradi që nga Millsoheviqi, bombardimet, Koshtunica, Korniza Kushtetuese e deri në ditët e sotme”.


“ Pres ndryshim të politikës së Beogradit në kuptimin që të mbështesë qytetarët e tij në territorin e Kosovës dhe të forcojë Kishën Ortodokse përmes konsultimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, BE-në, Amerikën dhe gjithsesi në marrëveshje me shqiptarët e Kosovës”
, ka thënë Trajkvoiq.

Kuvendi i Kosovës pritet të dalë me një deklaratë mbi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hënën, më 26 korrik.
XS
SM
MD
LG