Ndërlidhjet

Thaçi: Përgjigje ndaj padrejtësive


Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është përgjigjja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si
shtet i konsoliduar dhe funksional, thekson kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga Uashingtoni, ku po qëndron për një vizitë zyrtare, duke shtuar se kjo është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës. Thaçi falënderon gjithë mbështetësit e Kosovës dhe thekson se opinioni i GJND-së paraqet një ditë historike për Republikën e Kosovës.

Vendimi për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt vetëm u rikonfirmua, u legalizua, u rilegjitimua përsëri edhe nga opinioni i GJND-së, kështu që edhe ky është një moment historik, sepse opinioni i GJND-së u jep mundësi gjithë vendeve që kanë hezituar ta njohin Kosovën, që ta marrin këtë hap. Ky vendim ka hequr gjithë dilemat, shprehet kryeministri Thaçi.

Me këtë rast, kryeministri i vendit u dërgon mesazh gjithë qytetarëve të Kosovës për festë dinjitoze të këtij vendimi. Askush nuk duhet të ndjehet si humbës, por të gjithë duhet ta ndjejnë këtë opinion si diçka që forcon shtetin.

Thaçi e konsideron vendimin e sotëm si një sukses që duhet t’i dedikohet popullit të Kosovës dhe gjithë atyre njerëzve që kanë punuar dhe janë sakrifikuar në periudha të ndryshme për shtetin e Kosovës, thuhet në deklaratën e Zyrës për informim të kryeministrit.
XS
SM
MD
LG