Ndërlidhjet

Arrestohet guvernatori i BQK-së


Policia arreston guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi.
Policia arreston guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi.

Në vazhdën e hetimeve që misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit po i zhvillon lidhur me dyshimet për korrupsion, në mëngjesin e sotëm, pjesëtarë të policisë së këtij misioni dhe ata të Kosovës kanë bastisur Bankën Qendrore të Kosovës, me ç’rast është arrestuar guvernatori i kësaj banke, Hashim Rexhepi. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës.


Pjesëtarë të Policisë së Bashkimit Evropian dhe ata të Kosovës, sot kanë bastisur Bankën Qendrore të Kosovës, me ç’rast kanë arrestuar dhe paraburgosur, guvernatorin e saj, Hashim Rexhepi, ka bërë të ditur zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Kjo bastisje është bërë në vazhdën e hetimeve që po zhvillon EULEX-i në institucionet publike në Kosovë në lidhje më korrupsion.

Edhe arrestimi i guvernatorit Rexhepi, ka sqaruar zëdhënësi Krasniqi, ka të bëjë me një hetim financiar dhe për korrupsion, ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje parash.

“Pas bastisjeve të kryera në Bankën Qendrore, shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës”
, ka thënë Krasniqi.

Arrestimi ka pasuar një aksion të EULEX-it, i cili në orën 6 të mëngjesit ka nisur bastisjet në Bankën Qendrore të Kosovës dhe në banesat private të të katër të dyshuarve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Gjatë arrestimit të guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, Prishtinë 23 korrik 2010


Që nga ora 06:00 e mëngjesit, oficerët e Policisë së Kosovës, që janë pjesë e Task-Forcës Kundër Korrupsionit, kanë bastisur shtatë lokacione, përfshirë banesat private të të katër të dyshuarve, ndër të cilat edhe ajo e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe një kompani private”, ka konfirmuar Beka.

Ndërsa, reagimi i parë i Bankës Qendrore të Kosovës, ka ardhur përmes një komunikate për media.

Në komunikatë thuhet se bordi drejtues dhe menaxhmenti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, janë takuar për të shqyrtuar operacionin e kryer në selinë e BQK-së nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe kanë ndërmarrë hapat, me të cilët garantohet kontinuiteti i realizimit të të gjitha funksioneve të BQK-së.

Njëkohësisht, Banka Qendrore e Republikës se Kosovës shpreh besimin e saj të thellë në organet e drejtësisë, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës, është subjekt i pavarur juridik me kompetenca të plota si person juridik sipas ligjit në fuqi në Kosovë, dhe përgjigjet para Kuvendit të Kosovës, konkretisht para Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni, Naser Osmani, duke mos dashur të komentojë asgjë lidhur me arrestimin e guvernatorit dhe bastisjen e Bankës Qendrore, ka thënë se ky është një lajm i keq për Kosovën, siç është shprehur ai, të bastiset institucioni kryesor financiar i shtetit të Kosovës.

“Unë nuk mund të them asgjë pa pasur vendimin përfundimtar të Gjykatës, se a është arrestuar në baza faktike të korrupsionit, apo jo. Sepse ka pasur edhe bastisje të mëhershme që kanë qenë spektakulare dhe rezultatet janë kurrfarë”.

“Kështu që pa pasur vendim, nuk mund të deklarohem. Thjesht, është një gjë e keqe që ka ndodhur në institucionin më të lartë financiar të shtetit”,
është shprehur Osmani.

Bastisjet e para që EULEX-i i ka bërë lidhur me dyshimet për korrupsion kanë qenë në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit, Fatmir Limaj.

Ndërsa, ditë më parë qe bastisur edhe Postë-Telekomi i Kosovës, por nuk qe arrestuar apo intervistuar asnjë punonjës i kësaj kompanie.

Po ashtu, para dhjetë ditësh, EULEX-i kishte arrestuar personin e parë, i cili dyshohej të ishte i përfshirë në çështje korruptive - këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili u lirua nga arresti, pasi pagoi 50 mijë euro kaucion.
XS
SM
MD
LG