Ndërlidhjet

The Guardian: "Fundi i betejës për Kosovën"


Prishtina festoi pas vendimit të GJND-së.
Prishtina festoi pas vendimit të GJND-së.
“Fundi i betejës për Kosovën” është titulli i së përditshmes britanike “The Guardian” kushtuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Autori i shkrimit pohon se vendimi i GJND-së nuk paraqet befasi dhe tash duhet parë se si do të reflektohet në jetën praktike politike dhe veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Verdikti më shumë kishte të bënte me real-politikën sesa me të drejtën ndërkombëtare, pohon “The Guardian”, për të shtuar se Serbia dhe mbështetësja e saj, Rusia, vështirë e kanë pritur këtë epilog.

Gazeta pohon se për Serbinë tash do të ishte më mirë nëse do të pranonte propozimin e Bashkimit Evropian për bisedime teknike, me qëllim të krijimit të një modus vivendi pragmatik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe si shpërblim të kërkojë mbështetje drejt anëtarësimit në BE.

Serbia tash do të ballafaqohet me prospektin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe humbjen e përhershme të këtij territori, pohon “The Guardian” dhe konkludon se, ashtu siç humbi betejën e Kosovës në vitin 1389, Serbia ka humbur edhe betejën moderne për Kosovën.

Gazeta amerikane “Christian Science Monitor” pohon se GJND-ja ka zgjidhur çështjen juridike të pavarësisë së Kosovës, por jo edhe aspektin politik.

Gazeta pyet nëse anëtari i ri i bashkësisë ndërkombëtare do të fitojë më shumë njohje, investime të jashtme ose hua nga institucionet ndërkombëtare?

Përgjigjja në këtë pyetje në rastin e Kosovës është PO, shkruan kjo gazetë, për të shtuar se Kosova, para dy vjetësh, kishte shpallur pavarësinë, pos tjerash, edhe si pasojë e politikës së pastrimit etnik, mizorive dhe shtypjes nga ana e Beogradit.

“Christian Science Monitor” në vazhdim pohon se për të pasur shtetësi të plotë, duhet siguruar njohje nga 100 vende dhe konkludon me këtë pohim: mbetet të bëhet politika e shtetëndërtimit dhe e të mësuarit të jetuarit me fqinjët, sepse shqiptarët dhe serbët do ta kishin shumë më mirë politikisht dhe ekonomikisht nëse gjejnë rrugë për të shëruar plagët e tyre.

Revista “Foreign Policy” sjell një artikull me titullin “Përse pavarësia e Kosovës është e mirë për Serbinë”.

Autori i shkrimit pohon se verdikti i GJND-së nuk ka pasur peshën që i mveshet, sepse efektivisht Kosova është e pavarur dhe asnjë vendim gjyqi nuk mund ta ndryshonte një gjë të tillë.

Për më shumë, me gjithë zemërimin, Serbia nuk ka orekse politike që fizikisht të sfidojë statusin e Kosovës.

Verdikti i GJND-së, pohon Foreign Policy, kishte më shumë të bënte me çështjen e njohjeve të Kosovës dhe shton se vendimi i djeshëm do të ndikojë te shumë vende që të vendosin marrëdhënie me Kosovën, për të avancuar raportet diplomatike, tregtare dhe ekonomike me Prishtinën.

“Foreign Policy” në mbyllje shtron pyetjen nëse verdikti i GJND-së do të ketë efekte te lëvizjet separatiste në botë, dhe përgjigjet duke konstatur se kjo është një frikë e ekzagjeruar nga ana e Serbisë dhe Rusisë.

Sepse, siç konstaton gazeta, prania e Hashim Thaçit në Uashington, dëshmon se pa miq të fuqishëm dhe mbështeje të superfuqisë botërore, kryengritësit kudo në botë do të kenë më pak fat se Kosova, pavarësisht se çfarë thonë gjykatësit e Hagës. (m.k.)
XS
SM
MD
LG