Ndërlidhjet

Leksioni për Serbinë


Hagë, 22 korrik 2010.

Hagë, 22 korrik 2010.

Më 22 korrik, Serbia përjetoi një disfatë tjetër. Nga fillimi i viteve '90, nisi dhe humbi katër luftëra: në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Por, disfata kësaj radhe ndodhi në zyrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, si përgjigje për një çështje që vetë Serbia e kishte iniciuar.

Fillimisht, Serbia zgjodhi vendin e betejës (Hagën), pastaj kësaj çështjeje i dha rëndësi të madhe politike e juridike dhe përfundimisht pësoi disfatë.

Argumentet e saj juridike kundër pavarësisë së Kosovës tash janë të vdekura. Para shkurtit të vitit 2008, po këta liderë të Serbisë kishin vënë theksin te disa argumente tjera që, po ashtu, kanë vdekur – ata kishin parashikuar se në Kosovë do të ketë kryengritje dhe jo stabilitet.

Dhe, trazirat e vetme erdhën nga serbët. Trazirat erdhën nga bandat në veri të Mitrovicës, nga udhëheqja e korruptuar në Banja-Llukë, që bllokon reformat kushtetuese në Bosnjë dhe nga udhëheqja e Beogradit që refuzon t'i lërë kosovarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, u kushtoi shumë para taksa paguesve serbë duke fluturuar nëpër gjithë globin për të bërë probleme për kosovarët.

Duke pasuar vendimin e GJND-së, Beogradi zyrtar tash duket se ka dështuar edhe në argumentin e tretë, sipas të cilit nuk është e drejtë që kosovarët “t'i marrin të gjitha” dhe serbët “asgjë”.

Kanë harruar se Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës përmbajnë shumë gjëra për serbët. Nuk di vend tjetër në botë ku pakica që përbën 5 për qind të popullatës të ketë të garantuar 10 vende në Parlamentin me 120 deputetë!

Dhe, kuptohet, ne gjithashtu mbajmë mend një rregull politike nga antika, sipas së cilës popujt që fillojnë dhe humbasin luftëra, duhet të presin të humbasin edhe territore.

Është koha që Beogradi të ndërpresë praktikën e shfrytëzimit të Kosovës për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme, në vend se të luftojë krimin, korrupsionin dhe varfërinë.

Serbia duhet t'i kërkojë integrimet evropiane dhe të pushojë së qeni burim i jostabilitetit në Ballkan.

Ashtu siç i tha zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Xho Bajden, presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në bisedën telefonike, Beogradi duhet të punojë “në frymë konstruktive për t'i zgjidhur çështjet praktike me Kosovën dhe ta avancojë jetën e popullit në Kosovë, Serbi dhe rajon”.


...DHE PËR TË TJERËT

Vendimi i GJND-së ishte mësim edhe për tjerët që tentuan ta ndalnin Kosovën që ta ndërtojë të ardhmen e vet në paqe.

Zëdhënësi i Stejt Departamentit ftoi “Evropën të bashkohet pas të ardhmes së përbashkët”, ndërsa disa orë më vonë sekretarja amerikane e shtetit, Hilari
Klinton, tha se “Kosova është shtet i pavarur, ndërsa territori i saj i paprekshëm"
.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, Hagë 22 korrik 2010

Ftojmë të gjitha vendet të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në formë konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ne ftojmë të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë”.

Mesazh shumë i qartë. Është apel i drejtpërdrejtë vendeve që kanë refuzuar të njohin Kosovën për shkak të problemeve të brendshme siç janë: Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe aleati i besuar i Serbisë, Greqia.

GJND-ja e ka bërë të qartë se rasti i Kosovës ishte diç speciale dhe nuk ka asnjë kuptim të krahasohet me Kataloninë, Transilvaninë, Sllovakinë e jugut, Qipron veriore ose të tjera. Ka ardhur koha për Spanjën dhe të tjerët që t'i zgjidhin problemet e tyre të brendshme, pa u bërë barrë e Kosovës.

Kuptohet askush nuk mund të presë që diktaturat autoritare siç janë Rusia dhe Kina të mësojnë nga GJND-ja dhe, rrjedhimisht, reagimet negative nga Moska dhe Pekini nuk paraqesin befasi.

Për fat të keq, edhe ndonjë demokraci evropiane, siç është Sllovakia, duket e pavullnetshme ta mësojë leksionin.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mikulash Xhurinda, thotë se vendimi i GJND-së “nuk ka ndryshuar asgjë” për Sllovakinë. Asgjë!? GJND-ja shpartalloi gjithë argumentimin juridik të Serbisë!

Mbase është koha që zonja Klinton dhe kolegë tjerë të saj të përkujtojnë zotin Xhurinda se qeveria e tij duhet ta zgjidhë problemin me hungarezët, por jo në formën që kosovarët të paguajnë çmimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG