Ndërlidhjet

Çfarë kuptimi kanë bisedimet?


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike opozitare thonë se pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë, Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë për çështje teknike. Sipas tyre, mendimi i GJND-së ka qartësuar edhe më shumë faktin se në bisedimet e mundshme mes dy vendeve nuk mund të bisedohet për çështje politike. Nga ana tjetër, lideri i partisë politike “Lëvizja Vetëvendosje”, Albin Kurti, thotë se me Serbinë nuk duhet të bisedohet fare.


Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës ka qartësuar edhe më shumë çështjen e bisedimeve të mundshme në mes të Prishtinës dhe Beogradit, thonë përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike opozitare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe për Serbinë dhe përkrahësit e saj, përfundimisht është bërë e qartë se çështja e statusit politik të Kosovës njëherë e mirë është e përfunduar.

“Në bisedat që mund të bëhen me Serbinë, për çka ne, si Kosovë, jemi të interesuar dhe të gatshëm, për tri çështje nuk mund të diskutohet; nuk mund të diskutohet për statusin politik të Kosovës, nuk mund të diskutohet për ndërrim territoresh dhe nuk mund të diskutohet për kufijtë”
, thotë Manaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thekson se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për çështje teknike, për të cilat, sipas tij, ka interes reciprok.

“Të gjitha çështjet e tjera të interesit reciprok të qytetarëve të të dyja vendeve tona, që janë para së gjithash në fushën ekonomike, një mori çështjes, për të cilat ka interes dhe kemi interes reciprokisht mund të diskutohet”,
thekson Manaj.

Autoritetet kosovare para mendimit këshillëdhënës të GJND-së, patën theksuar se bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë të ndërlikuara dhe të paparashikueshme.

Por, sipas nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, bisedimet e mundshme në mes autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, duhet të shkojnë vetëm në drejtim të çështjeve teknike.

“Pas këtij vendimi dialogu i shumëpritur midis Prishtinës dhe Beogradit do të duhej të anonte në drejtimin që ne e kemi paraparë, por e kanë paraparë edhe shtetet e mëdha perëndimore - të jetë një dialog teknik, jo një dialog politik siç ka shpresuar Serbia”.


“Këtu duhet potencuar, sepse nga përmbajtja e vendimit, apo qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë varet shumë drejtimi i bisedimeve Prishtinë - Beograd”,
është shprehur Shala..

Derisa zyrtarët e institucioneve të Kosovës dhe ata të opozitës konsiderojnë se me Serbinë mund të bisedohet për çështje teknike, lideri i partisë politike “Lëvizja Vetëvendosje”, Albin Kurti, mendon se me Serbinë nuk duhet të këtë fare negociata.

Sipas tij, mendimi këshillëdhënës i GJND-së në favor të Kosovës duhet të shfrytëzohet si argument shtesë për t’i kundërshtuar thirrjet e Serbisë për negociata.

“Mendoj që Kosova nuk do të duhej kurrsesi të pranonte kurrfarë bisedimesh me Serbinë, përderisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, përderisa Serbia nuk pushon së financuari strukturat e saj paralele, përderisa Serbia nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, derisa Serbia nuk jep informacione mbi të pagjeturit”.


“Po ashtu, derisa nuk ia dorëzon Kosovës trupat e atyre që ishin vrarë më herët, përderisa Serbia nuk i kërkon falje Kosovës dhe përderisa Serbia nuk i paguan dëmet e luftës, mendoj se çfarëdo bisedimesh tani me Serbinë, do të ishin vetëm në dëm të Kosovës, e në favor të Serbisë”,
thotë Kurti.

Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit diplomatët perëndimorë i kanë paralajmëruar se mund të nisin disa muaj pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së.

Por, mendimi shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë i GJDN-së, se pavarësia e Kosovës ka qenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas analistëve, ka forcuar pozicionin e Kosovës.

Temat e hapura para këtij vendimi, për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, vlerësojnë analistët, as që mund të merren parasysh.
XS
SM
MD
LG