Ndërlidhjet

Gordon: Më shumë pavarësi, më pak mbikëqyrje


Filip Gordon, ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë.

Filip Gordon, ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë.

"Duam ta shohim Kosovën tërësisht të pavarur, që nuk ka nevojën e pranisë ndërkombëtare", tha për Radion Evropa e Lirë, Filip Gordon, ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë.


RADIO EVROPA E LIRË

A ka administrata amerikane një plan konkret për t'i ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e njohjes? A keni ndonjë shifër se sa shtete mund ta njohin Kosovën deri në fund të këtij viti?

PHILIP GORDON

Përgjigja e shkurtër është po, do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën në procesin e njohjes. Kjo nuk është gjë e re, pasi që nga dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës i kemi nxitur të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë, sepse kemi besuar se ky ishte hapi i duhur për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Deri tani 69 vende e kanë marrë këtë hap, përfshirë shumicën e vendeve fqinje të Kosovës dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së. Një numër i konsiderueshëm shtetesh ishin në pritje të opinionit të Gjykatës, një pjesë e të cilave e kanë pritur me kërkesën e vetë Serbisë.

Ne kemi rënë dakord me këtë qëndrim dhe ishim të kënaqur që Serbia po kërkonte t’i zgjidhte mosmarrëveshjet rreth Kosovës përmes rrugëve ligjore dhe diplomatike, e jo përmes konfliktit. Kjo është qasja e duhur.

Çështja u dërgua në GJND dhe Gjykata e dha vendimin shumë qartë se pavarësia e Kosovës është shpallur në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Këto vende që po prisnin vendimin e Gjykatës, ashtu siç iu kërkua, tani do të jenë në gjendje që ta njohin Kosovën.

Ne kemi biseduar me miqtë tanë që nuk e kanë pranuar ende Kosovën si shtet, duke nënvizuar qëndrimin e Gjykatës dhe shpresojmë se ato do të marrin hapin e duhur. Nuk mund të jap ndonjë shifër. Janë dhjetëra vende që prisnin vendimin e Gjykatës.

Tani shpresojmë që shumë prej tyre do ta shohin çështjen e statusit si të zgjidhur, në mënyrë që të vazhdojmë me gjërat e rëndësishme, ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË

A mendoni se duhet të rishikohet prania ndërkombëtare në Kosovë në dritën e rrethanave të reja? A mendoni të kërkoni miratimin e ndonjë rezolute të re në Këshillin e Sigurimit?

PHILIP GORDON

Në mënyrë të vazhdueshme ne vlerësojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë. Ideale do të ishte që të kishim një vend ku nuk do të ishte e nevojshme, as prania ushtarake, as ajo civile. Nuk jemi ende në këtë pikë. KFOR-i dhe EULEX-i janë ende atje.

Shpresojmë që vendimi i Gjykatës do të çojë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë, në mënyrë që KFOR-i të zvogëlohet deri në largimin e plotë. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në vendosjen e shtetit ligjor në të gjithë territorin, në mënyrë që EULEX-i të mos jetë më i nevojshëm.

Nuk jemi ende në këtë fazë, por jemi një hap përpara pas këtij vendimi. Ky mbetet qëllimi ynë. Kosova është shtet vetëm prej dy vitesh dhe, megjithatë, ka bërë jo pak përparim si shtet funksional. Ka ende shumë për të bërë, veçanërisht në veri, prandaj EULEX-i është aty për të ndihmuar.

Ne e mbështesim dhe marrim pjesë në këtë mision. Ka ende probleme me sigurinë ndaj aty kemi KFOR-in dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e këtij misioni për aq kohë sa nevojitet.

Qëllimi ynë është ta shohim Kosovën tërësisht të pavarur, që funksionon pa nevojën e pranisë ndërkombëtare. Opinioni i Gjykatës na ndihmon në përmbushjen e synimit.

RADIO EVROPA E LIRË

Deri tani, bazuar në Planin Ahtisaari, është përdorur termi pavarësi e mbikëqyrur. A mendoni se ka ardhur koha ta heqim fjalën e mbikëqyrur dhe të themi se Kosova është thjesht shtet i pavarur?

PHILIP GORDON

Për ne Kosova është shtet i pavarur. Siç e theksova, ka disa veçanti përfshirë nevojën për misionin evropian për rend dhe ligj. Derisa ecim përpara, do të ketë nevojë për më shumë pavarësi e gjithmonë e më pak mbikëqyrje.

RADIO EVROPA E LIRË

A mendoni se është i mundur dialogu mes Kosovës e Serbisë nëse Beogradi nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës? Si mund të bisedohet për çështje praktike nëse nuk e pranon shtetin fqinj? Me fjalë të tjera, a mendoni se mund të ketë dialog derisa Serbia nuk e njeh Kosovën?

PHILIP GORDON

Ne mendojmë se dialogu është i nevojshëm edhe para se të vijmë te ky moment. Nuk presim që Serbia ta njohë menjëherë Kosovën. Natyrisht, ne do ta donim një lëvizje të tillë, por nuk ka shenja se do të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Kjo nuk duhet të jetë parakusht për angazhimin konstruktiv të të dyja palëve. Askush nuk ka këmbëngulur për një gjë të tillë. Ne e kemi bërë të qartë se çdo lloj dialogu mes dy palëve nuk duhet të jetë për statusin, se nuk do të ishte produktiv.

Në të vërtetë një dialog i tillë nuk ka gjasa të ndodhë, se palët nuk do të binin dakord dhe nuk do të na çonte askund. Ajo që mund të bëjmë është ta lëmë çështjen e statusit mënjanë dhe të sigurojmë se palët po punojnë së bashku në çështjet që kanë rëndësi për njerëzit në terren.

Çështja e njohjes së Kosovës mund të trajtohet në rrugë e sipër. Ne duhet të krijojmë kushtet për këto dy vende që të ecin përpara. Mungesa e dialogut nuk do ta ndihmonte askënd.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG