Ndërlidhjet

Rohan: Pesë vendet e BE-së, duhet ta njohin Kosovën


Albert Rohan
Albert Rohan


Albert Rohan, ish-zëvendës i të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari, ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të duhej ta bënin këtë.

“Pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja – duhet të futen në një linjë me shumicën”, ka shkruar ai në një koment të botuar të shtunën në të përditshmen vjeneze “Die Presse”.

Më tutje ai ka theksuar se “është koha që të lihen anash të gjitha paqartësitë e mbetura sa i përket statusit të Kosovës në komunitetin e vendeve dhe, rrjedhimisht, së paku të mundësohet stabiliteti i Ballkanit jugor”.

Albert Rohan konsideron se “qëndrimi i përbashkët përfundimisht do ta vendosë BE-në në pozicion për të luajtur rolin që duhet ta luajë në rajonin e Ballkanit dhe ta bëjë më të lehtë për liderët politikë të Serbisë që ta pranojnë realitetin e shtetësisë së Kosovës”.

Sipas tij, derisa Kosova dhe Serbia, të mos i normalizojnë marrëdhëniet, asnjëra palë nuk mund të shpresojë se do të anëtarësohet në BE, që kërkon që shtetet kandidate t’i lënë anash të gjitha konfliktet para se të bëhen anëtare.

Pas vendimit të GJND-së për Kosovën, zoti Rohan ka bërë thirrje që “ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’iu shmangur paraqitjes së një konflikti tjetër të ngrirë në Ballkan”.

XS
SM
MD
LG