Ndërlidhjet

logo-print


Hapat e parë për shtrirjen e autoritetit në veri Kosovës pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësi, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të jenë forcimi i pikave kufitare, kontrolli i hyrje-daljeve dhe luftimi i krimit të organizuar.

Zëvendësministri Fatmir Xhelili tha se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, gradualisht do ta forcojnë rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës.
Hapat konkret do të jenë përforcimi i pikave kufitare dhe evidentimi i të gjitha hyrje-daljeve në pikat tona kufitare.


“Hapat konkret do të jenë përforcimi i pikave kufitare dhe evidentimi i të gjitha hyrje-daljeve në pikat tona kufitare. Do të fillojmë me goditjen e krimit të organizuar dhe besoj se me këtë ne do të përfitojmë shumë në lehtësimin e jetës së qytetarëve, e posaçërisht të qytetarëve serbë në pjesën veriore”
, tha Xhelili.

Xhelili theksoi se institucionet e Kosovës do të jenë të kujdesshme, në mënyrë që të mos vijë deri te përkeqësimi i situatës në atë pjesë të Kosovës.

“Do të orientohemi më përpara në bindje, sesa në zbatim të dhunës apo në represion. Qëllimi ynë është që t’i inkorporojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të inkuadrohen në jetë dhe të vazhdojmë jetën e përbashkët
”, theksoi Xhelili.

Nga ana tjetër, analistë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se, para së gjithash, për të vepruar në veri të Kosovës pas vendimi të GJND-së, duhet të sqarohet në radhë të parë qëndrimi i misioneve ndërkombëtare karshi statusit të Kosovës.

Analisti Agron Bajrami tha se pas opinionit të GJND-së, rritet përgjegjësia e faktorit ndërkombëtar në drejtim të shtrirjes së ligjshmërisë në veri të Kosovës.


“Sidomos e asaj pjese të Bashkësisë Ndërkombëtare që ende nuk e ka njohur Kosovës. Dhe, këtu para se gjithash, mendoj në misionet e ndryshme, të cilat mbajnë një qëndrim neutral ndaj statusit”.


“Pra, nëse pavarësia e shpallur e Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe nuk është shkelje e rezolutës 12 44, atëherë e gjitha ajo që duhet të bëjë KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u, është të zbatojnë rezolutën 12 44 në atë pjesë që automatikisht do ta integronte atë pjesë në teërësinë territoriale të Kosovës në hapësirën unike ligjore”, vlerësoi Bajrami.

Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Ilir Deda, tha se pas mendimit të GJND-së, për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, duhet ta përmbushin plotësisht mandatin e tyre.

Ilir Deda

“Këto misione menjëherë pas atij sqarimi, duhet ta përmbushin mandatin e tyre, duke marrë parsysh që ne, tashmë, morëm legalitetin ndërkombëtar".

"Atëherë në veri të Kosovës nuk ka vend për institucionet e Serbisë dhe nuk ka vend për forca policore të sigurisë së Serbisë. Edhe EULEX-i duhet ta zbatojë në tërësi autoritetin e vet në veri”
, u shpreh Deda.


Megjithatë, analisti Bajrami vlerësoi se institucionet e Kosovës, në koordinim të plotë me misionet ndërkombëtare, duhet të mos vonojnë në shtrirjen e autoritetit në veri.

Veprimet e njëanshme nga ana e institucioneve vendore ao ndërkombëtare, siç u shpreh Bajrami, mund të sjellin konflikt me komunitetin serb.
...të insistojmë nga misioni i BE-së të shtrijë autoritetin plotësisht dhe pa asnjë vonesë, sepse mendoj se një veprim i vetëm i institucioneve të Kosovës, do të na kthehej në konflikt...

“Përgjegjësia për veriun e Kosovës bie në kuadër të përgjegjësisë, jo vetëm të institucioneve, por edhe të pranisë ndërkombëtare këtu dhe mendoj se çdo hap duhet të bëhet bashkërisht me ta”.

“Posaçërisht pasi kemi verdiktin e GJND-së, mendoj se argumentet janë në favorin tonë që të kërkojmë ose për më tepër edhe të insistojmë nga misioni i BE-së të shtrijë autoritetin plotësisht dhe pa asnjë vonesë, sepse mendoj se një veprim i vetëm i institucioneve të Kosovës do të na kthehej në konflikt”,
tha Bajrami.

Sido që të jetë, autoritetet kosovare tashmë kanë thënë se Kosova, veç çështjeve të brendshme, duhet të angazhohet edhe në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG