Ndërlidhjet

U paraburgos Hashim Rexhepi


Hashim Rexhepi u arrestua të premten nga një aksion i EULEX-it me PK-në
Hashim Rexhepi u arrestua të premten nga një aksion i EULEX-it me PK-në

Në paraqitjen e parë, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Hashim Rexhepit, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Avokati i tij, Ramë Gashi, e ka kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke e quajtur të paqëndrueshëm dhe në kundërshtim më dispozitat ligjore.


Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Hashim Rexhepi, të shtunën është paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit.

Avokati i Rexhepit, Ramë Gashi, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë, se gjatë seancës, është vendosur që Hashim Rexhepit t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Avokati Gashi, e ka kundërshtuar këtë vendim duke e quajtur të paqëndrueshëm, sepse, sipas tij, nuk bazohet në dispozitat e ligjit për caktimin e paraburgimit.
...nuk ka pasur kushte për t’u caktuar masa e paraburgimit, për shkak se kanë munguar evidencat e nevojshme, me anë të të cilave do të krijohej dyshimi i bazuar, se me të vërtetë zoti Rexhepi ka kryer vepër penale...


”Pra, nuk ka pasur kushte për t’u caktuar masa e paraburgimit, për shkak se kanë munguar evidencat e nevojshme, me anë të të cilave do të krijohej dyshimi i bazuar, se me të vërtetë zoti Rexhepi ka kryer vepër penale, dhe nuk ekziston asnjë arsye, se zoti Rexhepi do të përsërisë ndonjë vepër penale, do të ndikojë në dëshmitarë, apo do të ikë nga vendi”,
ka thënë Gashi.

Për këtë çështje, avokati Gashi ka theksuar se mbrojtja do të ushtrojë ankesë që të hënën në mëngjes.

Guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, është arrestuar të premten, me dyshimin për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje parash.

Ndërkaq, avokati Ramë Gashi ka thënë se dyshimet nuk janë bindëse, pasi, sipas tij, veprat penale, për të cilat dyshohet Rexhepi, kanë të bëjnë me periudhën 2002-2007, kohë kjo kur, sipas Gashit, Hashim Rexhepi, nuk ishte guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Në bazë të provave që më janë dhënë në shikim dhe në bazë të mënyrës si është prezantuar sot kërkesa për përcaktimin e paraburgimit, besoj se këto nuk janë bindëse, për të konkluduar se ka dyshim të bazuar se veprat penale, që dyshohet zoti Rexhepi, vërtet i ka kryer”, ka sqaruar avokati Gashi.

Arrestimi i tij ka pasuar një aksion të EULEX-it, me ç’rast janë bastisur zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës, banesat private të të katër të dyshuarve, duke përfshirë edhe pronën e guvernatorit, si dhe një kompani private.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, nuk e ka mohuar faktin se mund të ketë edhe arrestime të tjera.

Zëdhënësi i PK-së, Arbër Beka

“Varet nga rezultati i procesit hetimor. Mund të ketë edhe arrestime të tjera, mirëpo do të jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me hetuesit policorë, por, gjithsesi, edhe me Prokurorinë Speciale, si udhëheqëse e këtij procesi hetimor
”, ka deklaruar Beka.

Ndryshe, mediat vendore në Kosovë, tregojnë se të dyshuarit të tjerë, të cilëve edhe u janë bastisur banesat janë: Shkëndije Himaj, zyrtare e lartë për mbikëqyrje financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, Ismet Jashanica, drejtor i Departamentit të sigurimeve në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës dhe Ibish Mazreku, ish-zyrtar në BQK.

Nga muaji prill, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit po zhvillon hetime në lidhje me korrupsion në disa institucione publike.

Bastisjet e para që EULEX-i i bëri lidhur me dyshimet për korrupsion, qenë në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit, Fatmir Limaj.

Po, ashtu ky mision gjatë këtij muaji kishte bastisur edhe Postë-Telekomin e Kosovës, ndërsa zyrtari i parë qeveritar i arrestuar nga EULEX-i, ishte Ilir Tolaj, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, i cili dyshohej të ishte përfshirë në çështje korruptive.

Por, të nesërmen, Tolaj ishte liruar nga arresti, pasi kishte paguar 50 mijë euro kaucion.
XS
SM
MD
LG