Ndërlidhjet

logo-print

BE: Kur do të flitet me një zë në politikën e jashtme?

  • Ahto Lobjakas

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinxher, njëherë pati thënë se nuk e kishte të qartë se me kë duhet të bisedojë në Evropë.

Aktualisht, Bashkimi Evropian është në përgatitje e sipër të një shërbimi të ri diplomatik të përbashkët.

Shërbimi i Aksionit të Jashtëm Evropian, krijimi i të cilit ishte neni kryesor i Marrëveshjes së Lisbonës së vitit të kaluar, pritet që të jetë i gatshëm për punë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai do t’i ketë mijëra diplomatë në Bruksel dhe në misionet e BE-së në mbarë botën.

Por, derisa shërbimi i ri diplomatik ndoshta mund ta ndryshojë mënyrën e zbatimit të politikës së jashtme të BE-së, ai nuk do ta ndryshojë mënyrën se si formulohet politika e jashtme e BE-së.

Vëzhguesit thonë se politika e jashtme e Bashkimit Evropian do të vazhdojë të mbetet prerogativë e qeverive të shteteve anëtare.

Ja se si e sheh këtë çështje, analistja Klara O’Donell, nga Qendra për Reforma Evropiane në Londër:

“Për BE-në, që të jetë e aftë për të qenë aktore efektive e jashtme, nevojitet që të gjitha vendet anëtare të pajtohen për një çështje, qoftë ajo se çka të bëhet në Gjeorgji ose si të veprohet me Rusinë... Duhet që shtetet anëtare të jenë të gatshme që ta lejojnë BE-në për të folur në emër të tyre”, thotë O’Donell.

Por, Kethrin Eshton, shefe e politikës së jashtme të BE-së dhe e shërbimit të ri që po krijohet, ka këmbëngulur se ky grup i ri diplomatik do ta forcojë pozitën e BE-së në skenën botërore.

Sipas saj, shërbimi i ri do t’i mundësojë BE-së përmbushjen e Marrëveshjes së Lisbonës, për “ndërtimin e politikës së jashtme më të fuqishme dhe efektive të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, zonja Eshton nuk i ka komentuar problemet e vazhdueshme të ndarjeve ndërmjet anëtarëve të BE-së, kur shqyrtohen raportet me fuqitë ndërkombëtare, siç është Rusia, ose për qëndrimet e ndryshme lidhur me Kosovën.

Analisti Janis Emanuelidis, nga Qendra për Politikë Evropiane në Bruksel, thotë se shtetet anëtare nuk do të heqin dorë nga sovraniteti i tyre ekskluziv për vendime në politikën e jashtme.

“Elementet që në të kaluarën në masë të madhe janë udhëhequr nga Komisioni Evropian, do të jenë më afër elementeve, që në të kaluarën ishin udhëhequr nga shtetet anëtare. Prandaj, gjërat do të jenë më të përbashkëta, por kjo nuk do të thotë se ato do të lëvizin nga kompetencat e vendeve anëtare te BE-ja”, thotë Emanuelidis. (f.b.)
XS
SM
MD
LG