Ndërlidhjet

Edhe pas GJND-së, BE pa qëndrim unik

  • Augustin Palokaj

Bruksel

Bruksel

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po vazhdojnë diskutimet e tyre rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND-ja u shpreh se Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Mirëpo, bazuar në deklaratat e para të disa ministrave nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, pak ka shenja se këto vende do të mund të ndryshojnë qëndrimin.

Ministrat e Spanjës dhe të Qipros kanë thënë se vendet e tyre nuk do të ndryshojnë mendimin dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Nga shumë burime të BE-së mësohet se në diskutimet e sotme shumë ministra kanë përsëritur porosinë për Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen për një dialog praktik, i cili do të ndihmonte në lehtësimin e raporteve në rajon, në përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve dhe në afrimin e rajonit drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Ata i kanë shprehur mbështetje të plotë porosisë që në emër të BE-së ka dhënë përfaqëusesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, e cila, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, kishte ftuar Beogradin dhe Prishtinën që të shfrytëzojnë këtë fazë të re për nisjen e një dialogu.

BE-ja thotë se Unioni është i gasthëm ta ndihmojë këtë dialog dhe ka bërë ftesë që të dyja palët ta pranojnë këtë ofertë.

Në anën tjetër, disa shtete të Bashkimit Evropian thonë se në atë dialog janë dy linja të kuqe. E para është se nuk mund të ketë rinegocim të statusit të Kosovës, pasi që kjo çështje konsiderohet e përmbyllur, si dhe nuk mund të diskutohet për ndarje territoriale të Kosovës apo për shkëmbim territoresh.

Sido që të jetë, edhe sot, deri në këtë momente, është parë se mendimi i GJND-së nuk ka ndihmuar shumë në ndërtimin e një uniteti të plotë të Bashkimit Evropian, sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse, siç thonë në BE, Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet unik rreth angazhimit në Kosovë, përfshirë mbështetjen e plotë të EULEX-it, në ndihmë të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në garantimin e një perspektive evropiane të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG