Ndërlidhjet

Sejdiu kërkon nga BQK veprim të shpejtë


Presidenti Fatmir Sejdiu i ka kërkuar Bordit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës, që të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për ta zgjidhur situatën e fundit të krijuar në BQK, pas arrestimit dhe paraburgimit të Guvernatorit Hashim Rexhepi, për të siguruar funksionimin adekuat të BQK-së.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës luan në ekonominë dhe stabilitetitn financiaro-bankar të vendit, ngjarjet e ditëve të fundit përkitazi me arrestimin dhe paraburgimin e Guvernatorit Hashim Rexhepi janë mëse shqetësuese për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Sejdiu drejtuar kryetarit të Bordit Drejtues të BQK-së, Gazmend Lubotenit.

“Prandaj në rrethanat e krijuara, kërkoj nga Bordi Drejtues i BQK-së të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për të zgjidhur këtë situatë dhe për të siguruar funksionimin adekuat të BQK-së. Siç edhe jeni në kuptim të plotë të urgjencës së kësaj çështjeje, mirëpres veprimin tuaj të menjëhershëm”, thuhet në letrën e presidentit Sejdiu.

Guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, u arrestua të premten e kaluar nga EULEX-i, nën dyshimin për korrupsion. Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
XS
SM
MD
LG