Ndërlidhjet

BE: Mbeten ndasitë rreth Kosovës


Bruksel
Bruksel

Edhe pas mendimit të GJND-së, pesë vende të BE-së nuk sinjalizojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shfaqur dallimet e tyre rreth pavarësisë së Kosovës edhe në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, përkundër qëndrimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ministrat e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros – kanë përsëritur në takimin e sotëm, por edhe në paraqitje publike, se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin rreth Kosovës.

Por, këta ministra kanë pohuar se sjellja e vendeve të tyre rreth Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi do të jetë konstruktive dhe se do të mbështesin dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe perspektivën evropiane të tërë rajonit.

Ministrat e BE-së kanë diskutuar për Kosovën në orët e pasdites dhe, sipas burimeve të Bashkimit Evropian, ministrat kryesorë kanë thënë se nuk mund të ketë më negociata për statusin e Kosovës dhe nuk mund të ketë biseda për ndarje të territorit të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Uestervelle, ka thënë se mendimi i GJND-së ka qenë shumë i qartë dhe ka konfirmuar qëndrimin e duhur të Gjermanisë për njohje të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se integriteti territorial i Kosovës nuk mund të vihet në pikëpyetje.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, ka thënë se duhet ofruar një perspektivë evropiane edhe Kosovës, edhe Serbisë, dhe se duhet përshpejtuar dhënien e mendimit pozitiv për aplikacionin e Serbisë për anëtarësim në BE.

Por, Fratini ka thënë se dialogu nuk nënkupton negociata për status të Kosovës. “Nuk mund të ketë më neogociata për status, sepse statusi është zgjidhur”, ka thënë ministri i Jashtëm i Italisë. Qëndrim të ngjashëm mësohet se kanë pasur edhe ministrat e shumë vendeve të tjera.

Mirëpo, për shkak të dallimeve të pesë vendeve anëtare, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, nuk ka mundur të thotë se ky është qëndrim edhe i Bashkimit Evropian, ndonëse në BE pohojnë se oferta për dialog, të cilin do ta ndihmonte Bashkimi Evropian për Prishtinën dhe Beogradin, nënkupton dialogun për çështje praktike, për raporte më të mira fqinjësore në rajon, për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për përshpejtimin e rrugës së integrimeve evropiane, por jo negociata për statusin.

Shumë shtete që janë angazhuar për të ndihmuar Serbinë në përshpejtimin e rrugës evropiane të saj, kanë thënë se duhet pritur së pari se si do të sillet Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku insiston se do të propozojë një rezolutë, me të cilën do të kërkojë negociata të reja për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG