Ndërlidhjet

Serbët në udhëkryq


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë
Politikanët serbë të Kosovës vlerësojnë se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili ishte pozitiv për Prishtinën, i ka vënë në udhëkryq serbët kosovarë.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb, thotë se te serbët janë krijuar mjaft dilema lidhur me mbijetesën e tyre në Kosovë dhe mundësinë e mbrojtjes së plotë të të drejtave dhe pronës së tyre.

Dragisha Kërstoviq
“Ata (serbët) janë në një udhëkryq. Natyrisht se nuk do të varet shumë nga vetë ata, sa do të varet nga disa faktorë të tjerë - posaçërisht nga Beogradi, Prishtina, Bashkimi Evropian dhe nga ajo që së shpejti do të zgjidhet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

“Kështu që, ky udhëkryq gati se është i dukshëm. Çfarë do të ndodhë në këtë udhëkryq dhe cila do të jetë dalja nga ai, këtë do ta tregojë koha. Por, shpresoj se pasojat nuk do të jenë fatale dhe se gjërat do të rregullohen”,
thotë Kërstoviq.

Edhe politikania serbe, Rada Trajkoviq, vlerëson se pas mendimit këshillëdhënës pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, serbët që jetojnë në këtë hapsirë, janë gjetur në një situatë, siç e quan ajo, specifike.

“Para së gjithash, unë ndjehem e obliguar që të bëj apel te të gjithë njerëzit me qëllim të mirë, që ta kuptojnë pozitën specifike të serbëve në hapsirën e Kosovës. Ajo që është realitet dhe me të cilën edhe për një kohë të gjatë do të ballafaqohemi, është lojaliteti emocional i serbëve për qeveritë në Beograd dhe lojaliteti administrativ ndaj qeverisë në Prishtinë".

"Gjendja e tillë definitivisht tregon se kjo do të jetë perspektiva për një periudhë më të gjatë”,
thotë Trajkoviq.

Në situatën aktuale, të krijuar pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas këtyre politikanëve serbë, bashkësia serbe duhet të orientohen drejt politikave që sigurojnë sigurinë fizike dhe të pronës së tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për kthim.

Por, sipas tyre, lidhur me këto çështje, janë të nevojshme bisedimet me institucionet e Kosovës. Lidhur me gatishmërinë e serbëve të Kosovës për një gjë të tillë, Kërstoviq thotë:

“Unë nuk e di se a janë të gatshëm serbët që të pranojnë bisedime të tilla. Ndërkaq, sa i përket Prishtinës, unë mendoj se për të nuk paraqet problem. Por, në çfarëdo rasti, mendoj se bisedat e tilla janë të pashmangshme dhe të nevojshme. Madje, mendoj se pas bisedimeve të tilla, do të kishte edhe rezultate konkrete dhe të dukshme”.

Rada Trajkoviq
Bisedimet e serbëve të Kosovës me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i sheh si të pashmangshme edhe Trajkoviq. Ajo thotë se ato do të mund të rezultonin me zgjidhjen e mjaft çështjeve konkrete, të cilat kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në hapsirën e Kosovës.

“Ne e dimë se lidhja e serbëve me Beogradin është realitet. Të gjithë e dinë se Serbia, edhe pse nuk ka sovranitet dhe pushtet në hapësirën e Kosovës, ajo ka ruajtur një ndikim të madh aty".

"Përkrahja e saj për bisedime të tilla do të mund të ishte me rëndësi të madhe, edhe në qoftë se ajo nuk merr pjesë në mënyrë të drejpërdrejtë në ato bisedime, duke pasur parasysh se ajo, nuk besoj se do ta njohë pavarësinë e Kosovës”,
deklaron Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG