Ndërlidhjet

Pritjet nga takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, në Prishtinë kanë qenë më të mëdha, sesa rezultati që doli nga takimi në fjalë.

As mendimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, nuk krijoi qëndrim unifikues të Unionit karshi Kosovës.

Megjithatë, zyrtarët në Kosovë thonë se, ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe, Brukseli zyrtar ka folur me një gjuhë më të qartë për Kosovën, duke përjashtuar çështjen e statusit nga tavolina e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se në një të ardhme të shpejtë, përkushtimi i Brukselit do të rikonfirmohet në drejtimin që Kosova dhe vendet e rajonit të jenë pjesë e familjes evropiane.

“Ndonëse nga mbledhja e djeshme nuk u nxor ajo çka është pritur, megjithatë Brukseli, kësaj radhe, ka folur me një gjuhë më të qartë për Kosovën. Pozicionet nacionale të vendeve anëtare nuk kanë ndryshuar ende, por ne shpresojmë në një reflektim pozitiv. Shpresojmë në mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës drejt mekanizmave ndërkombëtarë, gjegjësisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është jetike për Kosovën, rajonin dhe të ardhmen e saj", thotë Çitaku.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e partive opozitare mendojnë se qëndrimi i vendeve të Bashkimit Evropian do të ndryshojë, pasi që, sipas tyre, një gjë të tillë e lehtëson qëndrimi shumë i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, është optimist.

“Ne e dimë që edhe më herët kanë ekzistuar divergjenca në vendet evropiane, të cilat kanë mbajtur qëndrim të rezervuar ndaj Kosovës. Mosndryshimi i pozicionit të tyre në rastin e parë, është besoj më shumë qëndrim ndaj Serbisë, sesa ndaj përkrahjes së Kosovës. Vetë fakti që vendimi në GJND ka qenë shumë pro pavarësisë së Kosovës është tregues më i mirë se do ta ndryshojë qëndrimin një pjesë e vendeve të BE-së”, shprehet Isufi.

Qeveria e Kosovës
Ndërkaq, Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nga takimi i fundit i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, është pritur një ndryshim i qëndrimeve të pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Por, sipas tij, në këtë drejtim duhet të ketë një përkushtim më të madh edhe nga ana e vetë institucioneve të Kosovës për të lobuar.

“Vendimi i GJND-se është letër e madhe, është argument dhe mjet i fortë politik në duart e Kosovës. Duhet të trokitet në këto dyer, duhet të hyhet brenda këtyre shteteve dhe duhet të bisedohet me të gjitha nivelet, me të gjitha mundësitë. Duhet të aktivizohet roli i presidentit, i kryeministrit...”, thotë Haziri.

Qeveria e Kosovës duhet të shtojë aktivitetin e saj lobues, thotë deputeti Ahmet Isufi, njëherësh nënkryetar i AAK-së.

“Tani, Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet shumë dhe të jetë në ofensivë diplomatike, në mënyrë që shtetet, të cilat janë më afër vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, të angazhohen bashkë me to, sidomos me SHBA-të, me ambasadat shqiptare kudo që janë. Në një ofensivë të tillë, unë besoj se ndonjë nga shtetet që nuk e kanë pranuar Kosovën, do të jetë i gatshëm ta pranojë”, thotë Isufi.

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara edhe më shumë pas qëndrimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të lobuar. Sipas saj, janë duke u shfrytëzuar të gjitha kanalet diplomatike që Kosova të njihet nga shumë shtete që deri më tash nuk e kanë njohur.

“Thënë të drejtën, çdo shkas apo arsyetim i përdorur deri më tani lidhur me ligjshmerinë e pavarësisë së Kosovës, pushon së ekzistuari. Ne besojmë se tani duhet pak kohë që ky argument të thithet mjaftueshëm nga keto pesë vende anëtare, të cilat nuk na kanë njohur ende. Besojmë që së shpejti do të ketë reflektim pozitiv”,
deklaron Çitaku.

Ministrat e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros – kanë përsëritur në takimin e djeshëm në Bruksel se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG