Ndërlidhjet

Dell: S'kam bërë thirrje për autonominë e veriut

  • RFE /RL

Kristofer Dell

Kristofer Dell

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, përmes një deklarate të lëshuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, ka bërë të ditur se nuk mbështet “autonominë për veriun e Kosovës”.

“Komenti im për mediume më 22 korrik lavdëroi kryeministrin për prirjen e tij për të ecur përpara dhe për të menduarit e tij kreativ lidhur me situatën në Kosovën veriore. Unë nuk kam bërë thirrje për dhënien e autonomisë Kosovës veriore dhe as kryeministri nuk e ka bërë ndonjëherë një gjë të tillë – as publikisht dhe as privatisht”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Dell, i cili në vazhdim shpjegon:

“Në të vërtetë, unë kam sfiduar saktësinë e këtij karakterizimi të qëndrimit të kryeministrit nga gazetari serb, i cili më bëri pyetjen, dhe unë jam i befasuar kur pashë se mediumet e Kosovës kanë rënë pre e kësaj dredhie të njohur gazetareske. 'Zëri i Amerikës' e ka futur fjalën 'autonomi' në titullin e vet, por unë nuk e kam përdorur atë dhe nuk do ta përdor, sepse ne nuk e mbështesim atë”, pohon ambasadori Dell në deklaratën e lëshuar me këtë rast.

Në fund të kumtesës theksohet edhe kjo:

“Qëndrimi i Qeverisë së SHBA-ve është shumë i qartë. Ne fuqimisht mbështesim statusin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran dhe integritetin e saj territorial. Ne do të donim të shohim që Kosova dhe Serbia ecin përpara së bashku, si shtete të pavarura, drejt integrimit në institucionet euro-atlantike”.
XS
SM
MD
LG