Ndërlidhjet

Jo autonomisë dhe statusit special për veriun


Mitrovicë

Mitrovicë

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur apo shqyrtuar ndonjë ide lidhur me autonomi apo status special për veriun e Kosovës dhe këto janë keqinterpretime të mediave serbe, thotë Dukagjin Gorani, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai demanton gazetën beogradase “Blic”, e cila ka cituar zotin Gorani të ketë thënë se "Qeveria e Kosovës është e gatshme të shqyrtojë një autonomi ose status special për veriun e Kosovës”.

Gorani thotë për Radion Evropa e Lirë se as autonomia e as statusi special nuk janë përmendur në deklaratën që i ka dhënë gazetës “Blic”. Siç thotë ai, kjo gazetë ka bërë një keqinterpretim të rëndë, pas të cilit qëndrojnë disa arsye.

“As autonomia e as statusi special nuk janë përmendur në deklaratën që kam dhënë për të përditshmen beogradase ‘Blic’. Në fillim, mendoj se qëllimi është që të konstruktohet një opinion, qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë, se autonomia dhe statusi special për serbët në veri qenkan punë të kryera, e që natyrisht është gënjeshtër".

"E dyta është që, përmes krijimit të këtij opinioni publik, të shkaktohet përçarje brenda trupit politik shqiptar në Kosovë, e që përsëri është një lloj taktike fëmijërore. Pastaj, është qëllimi që të komprometohet Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj”,
thekson Gorani.

Ai i quan trillime të dëmshme dhe të rrezikshme keqinterpretimet e mediave serbe. Gorani thotë se ato e vështirësojnë komunikimin normal në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkaq, analistët politikë në Prishtinë thonë se idetë e ndryshme për një status special, autonomi speciale apo natyrë speciale për veriun e Republikës së Kosovës, janë vetëm kalkulime, të cilat qarkullojnë në qarqet e ndryshme diplomatike, por të cilat nuk kanë bazë për t’u realizuar.

Ata thonë se idetë e tilla janë të parealizueshme, sepse bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisarit.

Analisti Ramush Tahiri thotë se Kushtetuta dhe Pakoja Ahtisari nuk parashohin ndonjë nivel tjetër të autonomisë. Sipas tij, Kosova tashmë i ka krijuar komunat e reja edhe në bazë etnike dhe me kompetenca të veçanta në zhvillimin e jetës shoqërore.

Unë mendoj se, në këtë moment, jo që do të ishte e rrezikshme, por do të ishte e panevojshme të hyhet në opsione të autonomive, të statusit special ose të pozitës së veçantë dhe speciale, sepse nuk mendoj se kjo do të ndihmonte integrimin e komunitetit serb në Kosovë”.

“Përkundrazi, kjo do të hapte mundësinë që ky komunitet më shumë të lidhet me Serbinë sesa me Kosovën, si dhe do të hapte opsione të tjera të ndarjeve territoriale ose të përkufizimeve territoriale, të cilat mendoj se do ta destabilizonin rajonin”,
thekson Tahiri.

Ai thotë se mosfunksionimi i pushtetit në veri të Kosovës dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët me komunitetin serb që jeton në këtë pjesë, nuk janë arsye të mjaftueshme që veriut të Kosovës, siç shprehet ai, t’i jepet diçka më tepër sesa që është biseduar në Konferencën e Vjenës.

Ndërkaq, analisti Ismail Hasani i quan spekulime idetë për çfarëdo statusi të veçantë për veriun e Republikës së Kosovës. Sipas tij, idetë e tilla nuk mund të jenë të realizueshme.

“Unë mendoj se nuk mund të jenë të realizueshme dhe arsyet janë nga më të ndryshmet. Para së gjithash, do të duhej të tejkalohej shprehja plebishitare e vullnetit të popullit të Kosovës, involvimi i akterëve kryesorë që kanë ndihmuar projektin e Kosovës si shtet të pavarur”.

“Në të njëjtën kohë, ky opsion do të krijonte probleme edhe në riorganizimin komplet të pjesëve problematike që kanë mbetur nga luftërat e fundit që i ka zhvilluar Millosheviqi në ish-Jugosllavi, porsaçërisht problemet që janë të lidhura me Bosnjën dhe që janë të lidhura gjithandej rajonit”,
thotë Hasani.

Ai thekson se çfarëdo opsioni i një statusi të veçantë për veriun e Kosovës, do të krijonte implikime të tjera të përmasave gjeostrategjike.

Edhe analisti Driton Lajçi mendon se realizimi i një ideje të një statusi të veçantë për veriun e Republikës së Kosovës, do të ishte joproduktiv për vendin.

“Nuk duhet lejuar që serbëve lokalë t’u jepet e drejta e konsensusit, sepse ajo e drejtë do të mund të manipulohej nga Beogradi zyrtar, ashtu siç është rasti me Republikën Serbe në kuadër të Bosnjës e Hercegovinës”.

“Një konsensus i tillë faktikisht është bojkot i institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse lirisht kjo mund të manipulohet dhe kapitalizohet nga Beogradi zyrtar”.

“Unë, personalisht, mendoj se serbëve lokalë mund t’iu ofrohen të gjitha të drejtat, përveç konsensusit apo e drejta e vetos për vendimmarrje në raport me Prishtinën zyrtare”,
deklaron analisti Lajçi.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG