Ndërlidhjet

logo-print

Hetimet e fundit që po zhvillon EULEX-i në disa ndërmarrje publike në Kosovë dhe arrestimi i disa zyrtarëve qeveritarë nën dyshimin për korrupsion, në shikim të parë vlerësohen si zbatim në praktikë i luftës kundër korrupsionit, thotë Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës Kundër Korrupsionit "Çohu".

Por, megjithatë, Zogiani thotë se, pa u finalizuar këto raste, mund të mbeten vetëm në nivel hetimesh, pasi, sipas tij, korrupsioni po mbështetet nga vetë udhëheqësit e institucioneve vendore.

Zogiani konsideron kështu, pasi deri më tani autoritetet përgjegjëse nuk kanë shkarkuar asnjë zyrtar qeveritar që është nën hetime për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ajo çka po ndodh aktualisht, është se një sistem i tërë, përfshirë këtu edhe Kuvendin, presidentin dhe kryeministrin, që po i mbron njerëzit, është akuzuar për korrupsion".

"Kjo më bën të mendoj që ne kemi të bëjmë vetëm me një përmbushje të obligimeve të sektorit të hetimeve dhe të përndjekjes. Ndërsa, që nuk ekziston një vullnet për t'i mbaruar këto raste
", thotë Zogiani.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë i mohojnë këto deklarata, pasi, sipas tyre, në ballë të luftës kundër korrupsionit është Qeveria e Kosovës.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, thotë se të gjitha aksionet e deritashme janë aksione të Task-Forcës Kundër Korrupsionit, mekanizëm ky që është iniciuar dhe themeluar nga Qeveria e Kosovës.

Krasniqi pohon se është pikërisht Qeveria aktuale ajo që ka thyer heshtjen dhe tolerimin dhjetëvjeçar të korrupsionit.

“Janë komente joserioze, në vazhdën e shumë komenteve joserioze, të cilat i kanë bërë edhe në të kaluarën. Është fakt botërisht i dukshëm, që pikërisht Qeveria, veçanërisht kryeministri, janë ata që janë në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe ata që i kanë dhënë një shtytje e një dinamikë të re kësaj lufte".

"Kështu që kjo është një iniciativë e përbashkët, në të cilën Qeveria dhe EULEX-i janë të përkushtuar për ta çuar luftën kundër korrupsionit deri në fund”,
thekson Krasniqi.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, thotë se nuk është me rëndësi të thyhet heshtja. Sipas tij, i rëndësishëm është rezultati përfundimtar i hetimeve që tashmë po zhvillon EULEX-i.

Ai thekson se çrrënjosja e korrupsionit është proces shumë i vështirë.

“Deklarativisht, për korrupsionin po flitet me të madhe, por, praktikisht, është faza e parë e luftës kundër korrupsionit. Normalisht, lufta kundër korrupsionit nuk është e lehtë, punohet me grupe profesionale, punohet me grupe të nëntokës, prandaj nuk është lehtë ta çrrënjosim korrupsionin".

"Por, është mirë që të kemi më tepër vepra konkrete sesa fjalë”,
pohon Kastrati.

Jetullah Aliu, zyrtar në Agjecinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vlerëson se bastisjet dhe arrestimet që po bën EULEX-i në lidhje më korrupsionin, tregojnë qartë se po kjo dukuri po luftohet.

“Agjencia ka arritur një memorandum me EULEX-in dhe me disa institucione të tjera vendore, të cilat tashmë po tregojnë efektin e vet. Prandaj, i vlerësoj në mënyrë të çmuar zhvillimet pozitive që po ndërmerr misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, duke pasur parasysh se është futur në prioritet lufta kundër korrupsionit”,
thotë Aliu.

Në vazhdën e hetimeve për korrupsion që po i zhvillon misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, në fund të javës se kaluar është bastisur Banka Qendrore e Kosovës, ndërsa është arrestuar dhe paraburgosur guvernatori i saj, Hashim Rexhepi.

Po gjatë këtij muaji EULEX-i ka bastisur Postë-Telekomin e Kosovës, ndërsa zyrtari i parë qeveritar që është arrestuar nga ky mision, ka qenë Ilir Tolaj, këshilltar i Ministritë të Shëndetësisë.

Bastisjet e para që EULEX-i i ka bërë lidhur me dyshimet për korrupsion kanë qenë lokacionet e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit Fatmir Limaj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG