Ndërlidhjet

Prishtinë: Arrestohet një punonjës i Qeverisë


Gjatë bastisjeve të Ministrisë së Transportit...

Gjatë bastisjeve të Ministrisë së Transportit...

Zyrtarët e EULEX-it kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një punonjës të Qeverisë së Kosovës.

Blerim Krasniqi, zëdhënës i misionit të BE-së, tha se Departamenti i Policisë Ekzekutive ka kryer bastisje në banesën private dhe zyrën e një administratori të teknologjisë informative, lidhur me hetimin e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT).

Sipas Krasniqit, arrestimi i të dyshuarit është bërë pasi që ai thuhet të ketë penguar punët e hetuesve në analizimin e dokumenteve, të cilat po i bëjnë hetuesit në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

“Sot, në Prishtinë, Departamenti i Policisë Ekzekutive të EUELX-it ka kryer bastisje në banesën private dhe zyrën e një administratori të teknologjisë informative. Kjo bastisje ka të bejë me vazhdën e hetimeve në MTPT”, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se bastisjet kanë ndodhur në mëngjes, pasi ato janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.

Krasniqi tha se shqyrtimi i dokumenteve të mbledhura kohë më parë në MTPT, është duke vazhduar ende.

“Dyshimet kryesore kanë qenë disa tenderë në mes të periudhës kohore 2007-2009. Arrestimi dhe bastisja e sotme janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë”, u shpreh Krasniqi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i partive opozitare. Nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që të arrestohen figura më të larta, ku dyshohet për keqpërdorime dhe korrupsion.

“Arrestimet, gjykimet duhet të shkojnë deri në fund për të gjithë personat përgjegjës. Në insitucionet, të cilat janë duke u hetuar, do të thotë: Ministria e Transportit, PTK-ja, BQK-ja, konsideroj se mund të zbërthehet një lëmsh mjaft i madh i sistemimit të korrupsionit, e kjo mund të shkojë deri te kreu i Qeverisë. Unë shpresoj se EULEX-i është i gatshëm dhe i papolitizuar që të shkojë deri aty ku ka nevojë të shkohet dhe jo të ndalet ose ta kënaqë opinionin publik me arrestime ose me paraburgime...”, tha Kusari-Lila.

Policia e EULEX-it, javën e kaluar, ka arrestuar edhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, me dyshimin për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje parash. Rexhepit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. EULEX-i thotë se në lidhje me këtë rast janë të implikuar edhe tre persona të tjerë.

Me gjithë këtë dhe arrestimet e tjera, nënkryetarja e AKR-së kritikoi Qeverinë se nuk është duke bërë asgjë në drejtim të luftës serioze kundër korrupsionit.

“Ne nuk shohim as më të voglin vullnet të Qeverisë që ta luftojë korrupsionin. Qeveria nuk është duke e luftuar korrupsionin. Qeveria e ka inkurajuar korrupsionin. Korrupsioni ka arritur në shkallën në të cilën është mu për shkak të kësaj strukture qeverisëse. Prandaj, ne edhe njëherë shpresojmë se të gjitha hetimet do të arrijnë fundin dhe përgjgjësit do të dalin para ligjit”, tha Kusari-Lila.

Por, zyrtarët qeveritarë i kanë hedhur poshtë deklaratat e tilla, duke theksuar se në krye të luftës kundër korrupsionit është vetë ekzekutivi i vendit. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, tha se lufta nga ana e institucioneve është një gjë që nuk mund ta mohojë askush.

“Partitë opozitare kanë të drejtë të deklarojnë çka të duan, kanë të drejtë të jenë edhe joserioze, sikur në këto deklarata, por është fakt i pamohueshëm se pikërisht kjo qeveri, e para në historinë e re të Kosovës, ka filluar ta luftojë korrupsionin pas 10 vjet heshtjeje dhe tolerimi. Kjo qeveri dhe kryeministri Thaçi janë në ballë të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh Krasniqi.

Nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, tha se fundi i hetimeve për korrupsion në institucionet e Kosoves do të ishte dhënia e përgjigjes keqpërdorimeve të dhjetëra milionave euro, për të cilat ka folur vetë kryeprokurori i EULEX-it.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG