Ndërlidhjet

NYT: 1 ushtar apo 20 shkolla?


Afganistan
Afganistan
Lufta në Afganistan do të kushtojë shumë më tepër sesa kanë kushtuar lufta e vitit 1812, lufta amerikano-meksikane, lufta civile dhe ajo spanjollo-amerikane, të marra së bashku.

Një raport i fundit i një prej komiteteve të Kongresit ka treguar se lufta kundër terrorizmit, përfshirë dhe atë në Irak e Afganistan, është lufta më e shtrenjtë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, duke lënë mënjanë Luftën e Dytë Botërore.

Krahasimet historike të kësaj natyre duhet të jenë si thirrje për zgjim për presidnetin Barak Obama, për të kuptuar se strategjia ushtarake është jo vetëm e paqartë, por edhe burimet janë të shpërndara gabimisht.

Ishte e drejtë që liberalët kritikonin Xhorxh Bushin për shpenzimet në fushën ushtarake. Por, duhet të kujtojmë se është presidenti Obama ai që po kërkon 6.1% më shumë fonde për ushtrinë, se maksimumi i buxhetit ushtarak të shpenzuar nga paraardhësi i tij, Xhorxh Bush.

Ka qenë presidenti Obama ai që ka trefishuar numrin e ushtarëve në Afganistan, që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.

Nën drejtimin e presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë më shumë për ushtrinë sesa janë harxhuar në kulmin e luftës së ftohtë, luftës së Vietnamit apo asaj të Koresë.

Nga ana tjetër, një raport i fundit qeveritar tregon se Shtetet e Bashkuara, që dikur zinin vendin e parë për nga numri i të rinjve me diplomë universitare, tashmë gjenden në vendin e dymbëdhjetë.

Mungesa e baraspeshës në mes të përfshirjes ushtarke dhe joushtarake në një vend, krijon më shumë probleme për të ashtuquajturin “pushtim i huaj”.

Tek e fundit, arsimi ka dëshmuar se është më i fuqishëm në neturalizimin e ekstremizmit sesa vetëm fuqia ushtarake.

Aq sa kushton një ushtar amerikan në Afganistan për një vit do të duheshin për të filluar 20 shkolla në këtë vend.

Deklarata se nuk mund të ketë shkolla në Afganistan derisa nuk ka ushtarë amerikanë për t’i mbrojtur, nuk është e saktë.

Organizata humanitare CARE drejton rreth 300 shkolla në Afganistan dhe asnjë prej tyre nuk është djegur nga talibanët.

Greg Mortenson, autor i librit “Tre filxhanë çaj”, ka mbikëqyrur ndërtimin e 145 shkollave në Afganistan e Pakistan dhe thotë se asnjë prej tyre nuk është shkatërruar nga militantët.

Duket se ushtria amerikane nuk e ka kapur thelbin e librit “Tre filxhanë çaj”, që thotë se ndërtimi i shkollave i shërben shumë më mirë paqes, sesa hedhja e raketave.

Autori i librit, Mortenson, thotë se për një vlerë të barabartë me koston vjetore të 246 ushtarëve amerikanë në Afganistan, mund të niste reforma universitare në Afganistan.

Çuditërisht, avokati më i zëshëm për një baraspeshë të buxhetit në admisnitratën Obama ka qenë sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts.

Gjatë fushatës presidneciale, Obama premtoi të investonte në fondin global të arsimit. Që nga ajo kohë duket se ky premtim është harruar.

A nuk ka ardhur koha të vendoset rregull në mesin e përparësive?! (i.b.)
XS
SM
MD
LG