Ndërlidhjet

Kush nuk po e respekton të drejtën ndërkombëtare?


Hagë, 22 korrik 2010.
Hagë, 22 korrik 2010.
Mendimi këshillëdhënës i GJND-së se pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, sipas analistëve, i ka marrë nga duart Serbisë argumentin më të fuqishëm që mbante deri tash - se pavarësia ishte në kundërshtim me këtë të drejtë dhe me aktet ligjore funksionale në Kosovë, si Rezoluta 12 44.

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se mendimi i GJND-së nuk obligon shtetet që të njohin Kosovën, përfshirë këtu edhe Serbinë. Por, ai thotë se Serbia ka mbetur pa argumentet tashmë edhe juridike për ta kthyer Kosovën.

“Unë mendoj se janë të kota të gjitha kuazi-argumentet që mund të shfrytëzohen nga serbët, sepse Rezoluta 12 44 ka qenë argumenti më i fuqishëm, që është promovuar me të madhe edhe nga lidershipi serb dhe ai rus".

"Interpetimi i saktë i Gjykatës, si duket, e ka zhveshur Serbinë nga kjo luftë dhe mendoj se nuk ka argumente të fuqishme, që do të mund të kundërshtonin ose të provonin të kundërtën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thotë Hoti.

Serbia ka zhvendosur luftën e saj për Kosovën në Asmablenë e Përgjitshme të OKB-së, ku edhe ka dorëzuar një rezolutë që sërish tërthorazi bën thirrje për bisedime për statusin. Eksperti i së drjetës ndërkombëtare, Afrim Hoti, nuk sheh se kanë mbetur në kontekstin ndërkombëtar argumente në favor të Serbisë.

“Në kontekst ndërkombëtar nuk ka mbetur asnjë argument, përpos argumenteve politike, që po provohen të shfrytëzohen para OKB-së. Ndërkohë që unë nuk shoh ndonjë argument të fuqishëm që do të mund të kundërshtonte pavarësinë e Kosovë”, shprehet Hoti.

Por, në anën tjetër, eksperti nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, thotë se avokatët çdoherë mund të gjejnë ‘vrima’ në ligje, nëse duan të çojnë një çështje përpara. Por, për një zgjidhje të qëndrueshme, Knaus thotë se është e domosdoshme njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Serbia duhet ta bëjë zgjedhjen e saj mes integrimit evropian dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme me Kosovën. Është e qartë se zgjidhja e qëndrueshme nënkupton pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë".

"Megjithatë, nga mënyra se si BE-ja dhe disa vende anëtare po e mbajnë aplikacionin e Sebrisë, derisa Kosova dhe Serbia nuk zgjidhin kontestin e tyre, është e qartë se Kosova do të jetë problem i njëjtë për Serbinë, ashtu sikurse është Qiproja për Turqinë".

"Kjo do të thotë se Serbia do të ketë proces të dhimbshëm dhe të gjatë anëtarësimi me progres shumë të vogël. Zgjidhja për elitën serbe është se si ta adaptojë retorikën ‘edhe Kosovën, edhe BE-në’, sepse ka të ngjarë që qeveria nuk do arrijë as BE-në, e as Kosovën me një politikë të tillë”,
thekson Knaus.

Përveç refuzimit të njohjes nga ana e Serbisë, për Kosovën vazhdon të jetë problematik refuzimi i 5 vendeve anëtare të BE-së për ta njohur shtetin e ri.

Analistët thonë se, meqenëse mendimi i GJND-së është joboligativ, atëherë këto shtete nuk janë të obliguara ta pranojnë pavarësinë. Por, është përfundim i përbashkët se ky bllok po pengon ecjen e Kosovës dhe të rajonit kah integrimet evropiane.

“Njohjet nga 5 vendet e BE-së janë ndër njohjet më të rëndësishme, sepse njohjet e tilla reflektojnë interesa të dyanshme, hapin perspektivën e qartë që Kosova të jetë pjesë e BE-së. Por, këto njohje janë të rëndësishme edhe për BE-në, sepse do të paraqitej si subjekt i unifikuar, me një qëndrim të qartë dhe përfundimisht Kosova do të ishte pikë bashkimi”, shprehet Hoti.

Një javë pas mendimit të GJND-së, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend, edhe pse pritej një valë e re njohjesh. Kosova synon që të arrijë nurmin e 100 njohjeve para sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në shtator.
XS
SM
MD
LG