Ndërlidhjet

Walker: Kosova ka lëvizur drejt përmirësimit

  • RFE /RL

Christopher Walker

Christopher Walker

Duhet të bëhen përmirësime në luftën kundër korrupsionit dhe në lirinë e shtypit, thotë Christopher Walker.


RADIO EVROPA E LIRË

Në raportin e Freedom House, në kategorinë e të drejtave politike, Kosova ka njohur përmirësim. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të drejtat civile. Kosova ka kaluar nga vend jo i lirë në vend pjesërisht të lirë. Ç’do të thotë një gjë e tillë?

CHRISTOPHER WALKER
Së pari, më duhet të them se në të gjitha raportet tona, ndjekim të njëjtën metodologji të hulumtimit. Kur shohim se ka ndryshime në sistemin tonë me pikë, ndryshon dhe statusi i vendeve.

Në vlerësimin e fundit për Kosovën, kemi parë se ka zhvillime pozitive dhe Kosova ka lëvizur drejt përmirësimit të përgjithshëm.

Kjo është e vërtetë si për vlerësimin vjetor të të drejtave politike dhe civile, edhe në raportin për vendet në tranzicion, që është raport më i detajuar. Në të dyja këto, Kosova ka shënuar përparime.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova nuk është një demokraci zgjedhore sipas vlerësimit tuaj. Ç’do të thotë kjo konkretisht?

CHRISTOPHER WALKER
Përcaktimi i demokracisë zgjedhore është një nga përkufizimet që ne përdorim për të treguar se ka nevojë për një përbërës, në mënyrë që të kemi një proces të lirë zgjedhor.

Kosova është pranë ndërrimit në një demokraci zgjedhore, por akoma nuk e ka kapërcyer pragun që të futet në këtë grup.

Vlerësimin për demokraci zgjedhore e bëjmë bazuar në disa kritere - një prej të cilave është liria e mediave. Kosova ka ecur në drejtimin e duhur, por nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten problemet kryesore. Cilat janë pasojat nga këto dukuri?

CHRISTOPHER WALKER
Nga një pikëpamje, ndërkombëtarët e mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës, e cila tashmë ka fuqi vendimmarrëse. Në të gjitha raportet e vlerësimit, kurdo që këto janë bërë, korrupsioni dhe krimi i organziuar zënë një vend të rëndësishëm. Kjo vlen jo vetëm për raportin e Freedom House.

Ka rëndësi politike të përmirësohet gjendja në këtë drejtim, jo thjesht se kjo është në agjendën e bisedimeve me të huajt, por sepse, në fund të fundit, do të ndihmojë për një jetë më të mirë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës.

Reformat kundër krimit dhe korrupsionit janë pjesë e reformave më të gjera, pasi korrupsioni nuk mund të luftohet në zbrazëti.

Korrupsioni ka tendencë të zvogëlohet kur kemi media të zëshme dhe të lira, kur ka një sistem drejtësie të pavarur, si dhe një shoqëri civile që mund t’i ushtrojë detyrat e veta si duhet.

Janë këto zhvillime pozitive që kanë ndikim mbi korrupsionin. Prandaj, thuhet shpesh se korrupsioni më shumë është një simptomë e problemeve të tjera. Mendoj se kjo është e vërtetë në shumë raste.

RADIO EVROPA E LIRË
Një tjetër shqetësim është liria e shprehjes dhe e shtypit. Si e shihni gjendjen në këto fusha?

CHRISTOPHER WALKER
Mendoj se vlerësimi që ne i kemi bërë lirisë së shtypit në Kosovë dëshmon se Kosova i takon grupit të vendeve që gjenden në mes sa i takon lirisë së shtypit.

Situata, sa i përket lirsë së mediave në Kosovë, është premtuese - kemi pluralizëm medial, madje kemi shumë aktorë medialë në një territor kaq të vogël.

Ne kemi qenë të shqetësuar lidhur me disa raporte kërcënimi. Rasti më i fundit ka të bëjë me një përfaqësues të BIRN-it. Kërcënimi i gazetarëve është i padobishëm dhe një qasje shumë e gabuar e qeverisë.

Qeveria dhe pushteti duhet të garantojnë që gazetarët të kenë mundësi të kryejnë punën e tyre në kushte normale dhe të lira. Ky është një nga elmenetet kyçe për reformat institucionale afagjate në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cila është gjendja e pakicave në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë?

CHRISTOPHER WALKER
Duke pasur parasysh kohën e shkurtër që nga shpallja e pavarësisë, nuk kemi në dorë një periudhë të gjatë për t’u hulumtuar. Ajo që mund të thuhet me siguri, duke pasur parasysh gjendjen e pakicave në Evropën Juglindore, ka të bëjë me standardet dhe normat e vendosura, të cilat duhet të garantojnë mbrojtjen e të gjithë qytetarëve brenda kufijve shtetërorë.
XS
SM
MD
LG