Ndërlidhjet

logo-print

Ky është një vendim, që secili shtet e merr vet. Nuk është objektiv kryesor tani që të mendojmë për këto çështje, tha zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitrios Droutsas.



Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitrios Droutsas, gjatë vizitës në Prishtinë, tha se nuk është objketiv i tashëm të flitet për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, apo njohjen eventuale të Kosovës nga ana e Greqisë, pas mendimit pozitiv të Gjykatës për Kosovën.

“Ky është një vendim që secili shtet e merr vetë. Ndërsa të gjitha shtetet po merren me këtë çështje, nuk është objketiv kryesor tani që të mendojmë për këto çështje”.

“Ne duam të shohim të ardhmen dhe e ardhmja për ne është perspektiva evropiane për tërë rajonin”,
tha Droutsas.

Ai pohoi se, edhe në vizitën e tij në Beograd, edhe sot në Prishtinë, solli mesazhin se e ardhmja e rajonit shtrihet ne Bashkimin Evropian.

“Të flasësh për BE-në nuk është sekret se aty ka qasje dhe pikëpamje të ndryshme kur diskutojmë çështjet e rajonit. Në këtë kontekst, mendoj se pozicioni i Greqisë është i njohur”.

“Por, më e rëndësishmja është se të gjitha shtetet e BE-së, të 27 vendet anëtare, janë pajtuar në një pikë shumë të rëndësishme - se rajoni ka perspektivë të qartë evropiane dhe kjo është e ardhmja e tërë rajonit".

“Këtu, si Greqi, jemi krenarë të themi se u takojmë atyre shteteve që promovojnë këtë ide të së ardhmes evropiane të rajonit. Ky është mesazhi kryesor që bart unë sot dhe ky është mesazhi që unë ia thashë kryeministrit; ky është mesazhi për Prishtinën dhe Beogradin se duam të shohim të ardhmen tuaj në BE”,
tha Droutsas.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e shtetit të tij që të ndihmojë dialogun eventual mes Prishtinës e Beogradit.

“Raportet personale të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, me presidentin Tadiq dhe kryeministrin Thaçi, mund të kontribuojnë në hapjen e dialogut. Ky është qëllimi ynë dhe si Greqi ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për të gjetur mënyra konstruktive të komunikimit”, tha Droutsas.

Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, tha se Greqia ka luajtur një rol te rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

“Vizioni i Kosovës është bashkëpunimi ndërshtetëror me të gjitha vendet e rajonit dhe këtë bashkëpunim e duam në kuadër të perspektivës euro-atlantike edhe me Serbinë”.

“Greqia gjithmonë ka luajtur rolin që i ka takuar, rolin e rendësishëm për zhvillimet në rajon, një rol aktiv dhe pozitiv. Në kuadër të kësaj, bashkëpunimi ynë i drejtpërdrejtë ka qenë produktiv”.

“Sot kemi një bashkëpunim në shumë fusha, bashkëpunim ky që po jep rezultatet e veta edhe në konsolidimin e Kosovës, por, në të njëjtën kohë, edhe në perspektivën tonë evropiane”,
tha kryeministri Thaçi.

Ai theksoi se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë shumë ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për një perspektivë euro-atlantike.

Kosova, sipas Thaçit, është e gatshme që tani të bashkëpunojë edhe me Serbinë për të ardhmen e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Presim bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë. Në të njëjtën kohë, shprehim gatishmërinë që t’i kontribuojmë këtij bashkëpunimi... Ndërsa, në asnjë rrethanë nuk mund të flasim për çështjet tona të brendshme - ne jami shtet i pavarur dhe sovran”, u shpreh Thaçi.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Dimitrios Droutsas, ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG