Ndërlidhjet

Takim pa ndryshime (?)


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit

Prishtina zyrtare pret një mbledhje rutinë të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, e cila nuk do të sjellë ndryshime. Me kërkesë të Rusisë, nesër mbahet mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit, pas mendimit pozitiv për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në takim pritet të marrë pjesë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.



Takimi i parë i Këshillit të Sigurimit për Kosovën pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për zyrtarët dhe analistët në Prishtinë shihet si një mbledhje që nuk do të sjellë ndonjë gjë të re, përveç diskutimeve pro dhe kundër pavarësisë, që janë parë deri më tash në këtë organ.

Rusia, që është kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar mbajtjen e seancës, në të cilën pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë.

Zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, nuk pret asgjë të jashtëzakonshme nga mbeldhja e nesërme e Këshillit të Sigurimit.

Ne nuk besojmë se do të ndodhë diçka dramatike në mbeldhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit. Ky këshill tashmë është shndërruar në një arenë, ku përballen oponentët dhe mbështetësit e pavarësisë. Fatmirësisht, numri i mbështetësve tanë çdo ditë po vjen duke u rritur dhe ne çdo ditë e më shumë po prodhojmë argumente në dobi të shtetësisë sonë”, thotë Çitaku.

Në anën tjetër, analisti Arben Qirezi, caktimin e mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit nga ana e Rusisë, vetëm pak ditë pas mendimit të GJND-së, e sheh si një përpjekje për të zbehur efektin dhe rëndësinë e këtij mendimi.

Mendimi i GJND-së do të mbetet ashtu siç është dhe do të perceptohet ashtu siç është - pra me legalizimin e shtetësisë së Kosovës. Do të perceptohet në mënyrë pozitive edhe nga anëtarët tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, pra të OKB-së, dhe këto përpjekje të Serbisë dhe të aleatëve të saj nuk do të kenë ndonjë efekt”, shprehet Qirezi.

Këshilli i Sigurimit, për politkanen Rada Trajkoviq mbetet organi që mund të marrë vendime thelbësore për Kosovën. Ajo madje pret më shumë nga ky këshill, sesa nga sesioni i 64-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën do të diskutohet mendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë - mendim ky që u kërkua po nga kjo asamble.

“Asambleja e Përgjithshme nuk mendoj se do të sjellë asgjë që do të jetë eksluzivitet apo fitore për njërën apo palën tjetër, meqë mendimi s’është obligativ. Kjo Asamble do t’i thotë Këshillit të Sigurimit që të sjellë një vendim, që është në funksion të stabilitetit të rajonit”, thotë Trajkoviq.

Por, Vlora Çitaku mendon se diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme dhe rezoluta eventuale, që do të miratohet në të, do të reflektojë mendimin e GJND-së, i cili tha se pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.

“Debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk mund të jetë i ndryshëm nga opinioni shumë i qartë i GJND-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më autoritativ në fushën e së drejtës ndëkrombëtare ka dhënë një mendim jashtëzakonisht të qartë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, andaj edhe debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund të dalë jashtë këtyre vijave".

"Gjithsesi, Serbia së bashku me partnerët e vet, do të mundohet që të zbehë qartësinë e këtij opinioni, duke u munduar që betejën e humbur në GJND, ta neutralizojë me një debat politik në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme”,
thekson Çitaku.

Serbia tashmë ka deponuar në Asamble një rezolutë të saj, ku tërthorazi bën thirrje për bisedime të reja për statusin e Kosovës. Arben Qirezi nuk mendon se rezoluta e Serbisë do të ketë sukses.

“Po une mendoj se kjo ofensivë, që unë do ta quaja përpjekje të të dëshpëruarit do ta ketë po atë efekt në Serbi, sikurse e ka pasur mendimi i GJND-së, pra do të sjellë zhgënjime të reja për Serbinë. Mendoj se ky mendim i GJND-së ka trasuar një rrugë të re në të cilën Serbia herët a vonë do të duhej që të hyjë. Përndryshe, me veprimet e saj, Serbia gjithnjë e më shumë po e shtyn veten në qorsokak”, thotë Qirezi.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian thuhet se ka përpiluar një projekt-rezolutë për mendimin e GJND-së, që do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme.
XS
SM
MD
LG